E bujshme/ Klubi shqiptar, në gjurmët e mbrojtësit Albi Doka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 11:57

E bujshme/ Klubi shqiptar, në gjurmët e mbrojtësit Albi Doka

Shkëndija synon Albi Dokën. Kuqezinjtë e Tetovës prej muajsh janë vënë në “gjurmët” e talentit të bardhebluve. Pasi e tentuan në verë dhe nuk e arritën dot, një tjetër tentativë do ta bëjnë edhe në merkaton e dimrit. Shifra që ofruan në nisje të këtij sezoni për lojtarin e linjës së djathtë nuk ishte fort e kënaqshme për arkën e klubit të Tiranës dhe rrjedhimisht negociatat “ngecën”.

Doka

Se si do zhvillohen bisedimet këtë herë, gjithçka varet nga oferta që do të hedhë Shkëndija në tavolinë për të përfituar një prej elementëve më të talentuar që është zbuluar vitin e fundit në Shqipëri. 20-vjeçarit, që nga debutimi si futbollist profesionist e deri më tani, i kanë ardhur një “lumë” ofertash të huaja, por më konkretja dhe bindësja ishte prej një klubi shqiptar.

Skënderbeu ishte gati të jepte 150 mijë euro për të blerë kartonin e tij, madje bisedimet zgjatën deri në ditën e fundit  të merkatos. Si përfundim, ky transferim nuk u realizua, pasi Ze Maria vendosi “veton” dhe ai mbeti pjesë e bardhebluve edhe në Kategorinë e Parë.

albi doka

Vështirë duket që edhe në janar të lihet i lirë, por nëse vjen një ofertë realisht e lartë financiare, aq sa pretendon të përfitojë klubi prej “yllit” më të ri të ekipit, nuk përjashtohet mundësia që drejtuesit këtë herë të mos e marrin në konsideratë dëshirën e trajnerit brazilian. Klubi preferon që ta shesë jashtë vendit, pasi kështu mund të përfitojë mirë financiarisht.

Gjithsesi, penalizues për këtë sezon mbetet kategoria. Edhe pse kryeqytetasit po shkëlqejnë në të Parën, fakt që e kanë dëshmuar në 8 javë kampionat (ndërsa kanë fituar 7 ndeshje dhe kanë pësuar vetëm një gol në humbjen e vetme), menaxherët dhe “skautët” e ndryshëm nuk janë fort të prirë që t’i hedhin sytë në inferiore.

doka

Por një “bonus” i madh për Albi Dokën është pjesëmarrja në ekipin Shpresa. Kujtojmë që lojtari ka firmosur kontratë 3- vjeçare (ndërsa në sezonin e tij të parë me bardheblutë paga i shkonte në dy mijë euro në muaj), e cila i skadon pas dy vitesh.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"