E BUJSHME/ Jasir Asani drejt Suedisë, ofertë nga AIK Stokholm. Zbulohen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2019 | 16:23

E BUJSHME/ Jasir Asani drejt Suedisë, ofertë nga AIK Stokholm. Zbulohen prapaskenat

Merkatoja e dimrit zyrtarisht hapet në orët e para të Vitit të Ri, por klubet prej kohësh e kanë nisur punën për të plotësuar kërkesat e tyre në këtë periudhë. Edhe Partizani pritet të jetë pjesë e tregut të janarit, si në hyrje dhe në dalje. Të kuqtë janë vënë në kërkim të përforcimit të sulmit, pasi afrimet e verës nuk kanë dalë të goditura. 

jasir asani 1

Por, në të njëjtën kohë flitet edhe për transferime nga ky sektor. Jasir Asani është një nga futbollistët e Partizanit të lakuar në merkatot e fundit si kandidat i mundshëm për t’u shitur nga Partizani. Sirenat e largimit janë ndezur sërish për 24-vjeçarin nga Shkupi, i cili në këtë pjesë të parë të sezonit ka kaluar një periudhë acaruese me ish-trajnerin Franko Lerda.

Në të shkuarën janë përfolur disa pista largimi, por “Panorama Sport” ka mësuar se Suedia shikohet si destinacioni më i mundshëm për shitjen e sulmuesit. Burime pranë të kuqve kanë bërë me dije se për Asanin ka interesim konkret nga klube suedeze dhe AIK Stokholm është njëri nga ata që e kërkon me ngulm sulmuesin.

jasir asani

Gazeta ka mësuar se palët i kanë nisur bisedimet për transferimin e 24-vjeçarit në Suedi dhe tani mbetet që kampionët e Shqipërisë të përmbushin kriterin financiar për largimin e Asanit. Sulmuesi u bë pjesë e Partizanit në shtatorin e 2017- ës, ku firmosi edhe një kontratë 4-vjeçare.

Kur kanë mbetur edhe 18 muaj nga skadimi i kontratës, Partizanit mund t’i mbushet mendja që ta shesë xhevahirin e skuadrës, në mënyrë që t’i bëjë parapritë përsëritjes së rastit “Mala”, që kur hyri në vitin e fundit të bashkëpunimit nuk pranoi rinovimin. Kur firmosi kontratën para 2 sezonesh, Asani ka pasur një klauzolë largimi në çdo kohë përkundrejt shifrës 400 mijë euro. Tani mbetet të mësohet se cila do të jetë shuma që pretendon Partizani, i cili nuk mendohet të heqë dorë nga shërbimet e Asanit pa 300 mijë euro.

Asani Partizani

Nëse realizohet ky transferim, që duket në rrugën e duhur, i bie që Jasir Asani të jetë shitja e parë te Partizani në drejtimin e drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama. 24-vjeçari nuk u preferua shumë nga trajneri Lerda në këtë sezon, ku në derbi e mbajti në stol, dhe mbase kjo situatë konfliktuale me ish-trajnerin e ka detyruar që të interesohet për një destinacion të ri.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"