“E bëjmë ‘sefte’ me Besën”, sulmuesi i Flamurtarit: Në Kategorinë e Parë luhet futboll i fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2020 | 19:17

“E bëjmë ‘sefte’ me Besën”, sulmuesi i Flamurtarit: Në Kategorinë e Parë luhet futboll i fortë

Flamurtari kërkon fitoren e parë në Kategorinë e Parë. Pasi barazuan në start dhe pushuan në javën e 2-të prej kalendarit, këtë fundjavë do të matin forcat me Besën. Luajnë në shtëpi dhe hapat falsë nuk lejohen. Këtë e thotë edhe Gersi Diamanti, gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”. Mesfushori e pranon që nuk do të jetë e lehtë, por as e pakalueshme. “Me Besën do të jetë një ndeshje e fortë. Do të luftojmë për të bërë më të mirën dhe të dalim me pikët maksimale nga fusha.
54526098_2398759817078282_388997326892433408_n
Luajmë në shtëpinë tonë dhe e kemi detyrim fitoren. Besa është një ekip që ka bërë mirë edhe sezonet e shkuara. Është një kundërshtar për t’u marrë në konsideratë. Megjithatë, jemi të vendosur për të marrë atë çka duam. Ekipi është i karikuar për maksimumin. Dua që të them se e nisëm mirë dhe mbarë kampionatin. Një barazim në ndeshjen tonë të parë zyrtare që luajtëm në Vlorë me Turbinën, ishte një rezultat i mirë. Dua të theksoj se në atë ndeshje ekipi është paraqitur shumë mirë. Megjithëse ne e merituam fitoren pasi patëm shumë raste për të shënuar, por nuk ishim të qartë para portës. Por, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm që të shikojmë përpara dhe të japim maksimumin tonë në ndeshjen e radhës, duke marrë fitoren”, shprehet Diamanti.

Vlonjati e cilëson të vështirë Kategorinë e Parë pasi luhet fort, por ka bindjen se Flamurtari do t’ia dalë.

“Kam bindjen se Kategoria e Parë normalisht që do të jetë e vështirë për ne. Këtu luhet futboll i fortë dhe terrenet nuk janë fort të mira. Nuk është komoditeti që ke në Superiore, por duhet që të përshtatemi dhe jam i bindur që do t’ia arrijmë, pasi kemi në ekip lojtarë të mirë dhe me vullnet. Situata në ekip është mjaft e mirë. Jemi të gjithë djem të rinj dhe përpiqemi të japim më të mirën nga vetja. I kemi vënë vetes një qëllim që ta rikthejmë Flamurtarin aty ku e meriton”, përfundon mesfushori.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"