E ardhmja mbetet enigmë, tre titullarë të Teutës janë në ajër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2023 | 20:22

E ardhmja mbetet enigmë, tre titullarë të Teutës janë në ajër

Pritej vetëm zyrtarizimi i largimit dhe ashtu ndodhi. Teuta e mbyll përfundimisht me trajnerin shkodran, Edi Martini.

teuta

“Klubi i Futbollit Teuta njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Edi Martini. Me këtë rast, KF Teuta falënderon Martinin për kontributin e dhënë gjatë periudhës qe drejtoi skuadrën blu dhe i dëshiron shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen”, citohej në faqen zyrtare të klubit. Disa herë në dekadën e fundit ai është larguar nga Teuta dhe më pas është rikthyer sërish, por këtë herë duket se do të ketë një aventurë të re, teksa mundësitë më të mëdha janë të marrë drejtimin e Vllaznisë.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri nuk ka dashur të flasë për të ardhmen, por gjithsesi përpara se klubi të zyrtarizonte largimin, ai mbajti një fjalim para ekipit në ditën kur skuadra mori pushimet. Gazeta zbardh disa pasazhe të bisedës së Martinit me futbollistët e Teutës.

“Djema, e mbyllëm këtë kampionat dhe ia dolëm mes vështirësive. Karakteri i fortë i secilit prej jush bëri që së bashku të fitojmë shumë beteja. Unë jam krenar për secilin prej jush dhe ju falënderoj të gjithëve për punën që bëmë. Ju të gjithë jeni lojtarë të mrekullueshëm dhe unë besoja te ju, sepse përndryshe nuk do të isha kthyer”, ka thënë Martini para lojtarëve, të cilët më pas e duartrokitën të gjithë. Ndërkohë, tashmë që Teuta ka mbetur pa trajner, drejtuesit do të marrin kohë për emrin e ri të pankinës.

VILA, KOTOBELLI DHE KURO

Tre titullarë janë në ajër për të ardhmen, teksa kontrata me Teutën u ka përfunduar me mbylljen e këtij sezoni. Një prej tyre është mbrojtësi i majtë, Blerim Kotobelli, i cili konfirmoi për gazetën se nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij. Teuta për momentin duket prioritet për Kotobellin, por kjo do të shihet në vazhdimësi.

Në një situatë delikate është edhe kapiteni Emiliano Vila, të cilit i ka mbaruar kontrata dhe pritet të flasë me presidentin Hasanbelliu për të ardhmen. Vila është një nga liderët e skuadrës dhe duket e vështirë që klubi të heqë dorë nga mesfushori.

Ndërkohë, një tjetër titullar që ende nuk ka vendosur për të ardhmen është edhe mbrojtësi Aleksandër Kuro, i cili, i pyetur nga gazeta nëse do të qëndronte në Durrës edhe sezonin tjetër, u shpreh: “Për momentin jam me pushime, por do të ulem me drejtuesit për të sqaruar gjithçka në ditët në vijim. Prioritet për mua është Teuta, por do të shohim”.

Mësohet se për tre lojtarët që janë pa kontratë, klubi ka interes të rinovojë marrëveshjet.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"