E ardhmja e skuadrës pezull, Sefa: Lushnja respekton kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2018 | 15:29

E ardhmja e skuadrës pezull, Sefa: Lushnja respekton kampionatin

Lushnjarët kanë përfunduar përgatitjet në kuadrin e ndeshjes me kurbinasit, që do ta luajnë sot pasdite në stadiumin “Laçi”. Verdhejeshilët kanë rënë nga Superiorja edhe matematikisht, një muaj më parë. Pikërisht, kur humbën 0- 2, në shtëpi me Flamurtarin, lushnjarët ranë nga elita shtatë javë para përfundimit të sezonit.

Sefa

Tashmë, skuadra verdhejeshile luan për prestigj, duke synuar të jap më të mirën deri në finishin e 23 majit. Për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni i lushnjarëve Fatjon Sefa, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me tetë gola, shprehet: “Kemi shfrytë- zuar ditët që kemi pasur në dispozicion për ndeshjen e radhës.

Ekipi është përgatitur mirë për ndeshjen me Laçin. Synojmë të bëjmë një lojë të mirë dhe të shprehim të gjitha mundësitë që ka Lushnja si ekip. Të respektojmë kampionatin ashtu siç kemi bërë deri më tani. Ekipi është për t’u marrë shembull për lojën korrekte dhe “Fair Play”. Është një ndeshje që e ka motivuar ekipin e Lushnjës për t’u paraqitur sa më mirë dhe me dinjitet”, është shprehur kapiteni Sefa, që rikthehet në fushë pas skualifikimit njëjavor.

Skenderbeu-Lushnja

E ARDHMJA- Duke qenë se Lushnja praktikisht ka mbyllur sezonin, ka filluar të mendohet për të ardhmen. Futbollistëve lushnjarë u përfundojnë kontratat në fund të muajit. Janë 25 futbollistë që kanë kontrata njëvjeçare me Bashkinë e Lushnjës. Tashmë, pritet se kush do të qëndrojë dhe kush do të largohet nga stadiumi “Roza Haxhiu”.

lushnja

Lushnja është në varësi të plotë të bashkisë së qytetit dhe pritet të ndërtohet një skuadër dinjitoze për Kategorinë e Parë. Futbolli verdhejeshil vuan mungesën e sponsorit dhe dy paraqitjet e fundit në Superiore (2013- 2014 dhe 2017-2018) treguan qartë që skuadra lushnjare në këto kushte nuk mund ta përballojë elitën.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"