E ardhmja e Pejiç, në dorë të Gjicit: Kërkoj falje, edhe Mesi ka humbur penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 9:38

E ardhmja e Pejiç, në dorë të Gjicit: Kërkoj falje, edhe Mesi ka humbur penallti

Pero Pejiç u kërkon falje tifozëve dhe klubit për penalltinë e humbur në ndeshjen ndaj Sherif Tiraspolit, ku në fakt, bomberi kroat u bë protagonist i golit të dytë në fitoren 2-1. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, sulmuesi kroat rrëfeu momentin e vetëm të errët të një ndeshjeje që po shkonte sipas parashikimeve të Kukësit.

pejic

“Unë marr përsipër përgjegjësinë për penalltinë e humbur, isha i bindur se do të shënoja, por nuk ndodhi kështu”, – ka thënë ndër të tjera kroati. Golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit në Kategorinë Superiore kërkon të qëndrojë edhe një vit te Kukësi, por tashmë nuk varet gjithçka nga ai, pasi kontrata ka përfunduar. Pejiç pret të takojë pas pak ditësh presidentin Safet Gjici, ndërsa menjëherë pas ndeshjes është nisur për në Kroaci, teksa po pushon pranë familjes.

Shënuat dy gola dhe sërish nuk mjaftuan. Ishte ky eliminimi më i hidhur?

Po, jemi shumë të hidhëruar që pas asaj ndeshjeje të bukur që bëmë nuk arritëm të kualifikoheshim. Kryesisht unë e kam përjetuar më keq se të gjithë, pasi humba një penallti shumë të rëndësishme për Kukësin. Ndihem shumë keq.

Mendoni se penalltia vendosi gjithçka?

Shikoni, unë kam shënuar shumë gola për Kukësin dhe mbi të gjitha fituam titullin e parë kampion në historinë e klubit. Gjithsesi, të mërkurën humba një penallti shumë të rëndësishme dhe për këtë u kërkoj falje klubit, tifozëve dhe shokëve të skuadrës.

Ju keni humbur edhe herë të tjera 11-metërsha. Kaq i bindur ishit këtë herë që do të shënonit?

Isha i gatshëm të vija bast se do ta shënoja atë 11-metërsh, por portieri arriti ta neutralizonte. Nuk kam çfarë të them, por penallti kanë humbur edhe lojtarë të mëdhenj si Mesi, Maradona e të tjerë. Unë në këtë rast marr përgjegjësitë e mia që nuk shënova.

pejic

Në harkun e dy ndeshjeve, ishte i drejtë ky verdikt?

Jo, sepse ne ishim një skuadër më e mirë se kundërshtari, gjë të cilën e treguam në fushë dhe e meritonim kualifikimin. Goditëm tri herë shtyllat, por ajo ishte një natë pa fat për Kukësin, ndërsa Sherifi goditi vetëm një herë portën dhe shënoi gol. I tillë është futbolli.

Çfarë ndodhi pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes, erdhi presidenti t’ju takonte?

Presidenti nuk na tha asgjë pas ndeshjes, madje nuk erdhi fare në dhomat e zhveshjes. Të gjithë ishim të mërzitur.

Tashmë kontrata juaj me Kukësin ka përfunduar, çfarë do të bëni?

Po, kontrata ime me Kukësin ka mbaruar dhe tani jam në Kroaci me familjen time. Do të bëj disa ditë pushim dhe më pas do të flas me presidentin Gjici për rinovimin e mundshëm të kontratës.

Doni të qëndroni edhe një sezon te Kukësi apo do të largoheni?

Dëshira ime është që të qëndroj te Kukësi, por nuk varet vetëm nga unë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"