E ardhmja e Filit në dilemë, trajneri grek injoron fierakun. “Topi” u mbetet drejtuesve të Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 9:20

E ardhmja e Filit në dilemë, trajneri grek injoron fierakun. “Topi” u mbetet drejtuesve të Luftëtarit

Prej dy javësh Luftëtari ka humbur shërbimet e golashënuesit më të mirë, Realdo Fili, pas një vendimi që kanë marrë drejtuesit e klubit për pezullimin e tij dhe vazhdimin e stërvitjes me ekipin U-19. 

hasani fili

Mësohet se fieraku e ka zbatuar këtë vendim, duke u stërvitur gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e trajnerit të të rinjve, Arbër Bistri, bashkë me mbrojtësin holandez, Hilgen Cerezo, ndaj të cilit gjithashtu ka një masë penalizuese nga klubi.

Fili ka munguar në dy ndeshjet e fundit, pikërisht ndaj Partizanit dhe Teutës, ndërsa tashmë që kampionati u ndërpre prej takimeve të Kombëtareve, ka shpresa se palët do të gjejnë një zgjidhje për rikthimin në ekip të autorit të tre golave. Luftëtari po vuan shumë për të shënuar, duke qenë skuadra më e dobët në sulm deri më tani dhe pezullimi i Filit në këtë moment dukej si një luks i tepërt.

Megjithatë, te Luftëtari janë të përçarë për situatën e fierakut. Edhe vetë deklarata që ka dhënë pas ndeshjes trajneri Jorgos Marantas në lidhje me të ardhmen e 23-vjeçarit ka habitur jo pak. I pyetur se kur do të rikthehet sulmuesi, ai u shpreh: “Është e disata herë që më kërkohet të flas për këtë. Përderisa lojtarin nuk e kam në ekip, atëherë nuk mund të flas për të”.

SITUATA 

Burime të “Panorama Sport” në klubin bluzi treguan dje se drejtuesit po shqyrtojnë situatën dhe gjasat janë që të rikthejnë në ekip Filin para ndeshjes me Flamurtarin, që do të luhet më 23 nëntor. Mirëpo, nuk dihet nëse këtë vendim do ta pranojë Marantas, të cilit nuk i ka pëlqyer sjellja e lojtarit me shokët në stërvitje dhe ndeshje. Madje greku e la në stol Filin në humbjen 2-0 ndaj Skënderbeut. Dhe që aty filloi krisja, derisa klubi e cilësoi përplasjen e fierakut me tifozët pas ndeshjes kundër Tiranës, të patolerueshme. Kjo i detyroi drejtuesit të vendosnin një rregullore të brendshme, ku parashikohen gjoba nga më të ndryshmet për thyerjet disiplinore të lojtarëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"