E 43-ta e vërteta, Kristiano Ronaldo: Më duhej ai gol, duhet të fitojmë kundër Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 17:30

E 43-ta e vërteta, Kristiano Ronaldo: Më duhej ai gol, duhet të fitojmë kundër Milanit

Iu deshën 43 goditje, por më në fund ia doli mbanë. Të shtunën kundër Torinos, Kristiano Ronaldo shënoi golin e parë në Serinë A nga një goditje dënimi pasi 42 paraardhëset nuk kishin qenë të suksesshme. E kërkonte prej kohësh, aq sa kishte monopolizuar edhe çdo goditje standarde rreth zonës së rreptësisë.

RONALDO

Këtë e konfirmoi edhe trajneri Sarri i cili tregoi se portugezi pasi shënoi, nxori inatin duke bërtitur: “Më në fund!” E të mendosh që dyshja nuk ka një raport idilik. Në nëntorin e kaluar, 35-vjeçari shfrynte pas një zëvendësimi, teksa edhe në derbi kamerat e pikasën të debatonte me trajnerin sepse disa pasime nuk i kishin ardhur në kohën e duhur.

Duke u rikthyer te realizimi i të shtunës, ai është i 25-ti personal për Ronaldon që në këtë kuotë golash ka thyer arritjen e sezonit të kaluar dhe njëkohësisht ka barazuar një nga rekordet e Omar Sivorit të vendosur në sezonin 1960-’61.

INTERVISTA

Deri më sot portugezi ka shënuar 57 herë për llogari të “Zonjës” në kampionat, por nuk kërkon të ndalet. Nuk është në karakterin e tij të ngopet me arritje. Këtë e konfirmoi edhe në konferencën për shtyp të dhënë një ditë më parë.

Sa rëndësi ka për renditjen fitorja në një ndeshje si derbi?

E dinim që nuk do të ishte një ndeshje e lehtë, por luajtëm shumë mirë dhe ia dolëm që të siguronim tri pikë. Vetëm duke fituar do të arrijmë të shtojmë presionin ndaj Lacios.

Realizuat një gol të jashtëzakonshëm.

Kisha nevojë për një realizim të tillë, sepse më ndihmon për besimin. E dinim që do të ishte një takim i vështirë, por punuam fort. E realizuam objektivin.

Tashmë keni një pozicion të mirë në renditje dhe avantazh pikësh. Sa rëndësi ka në aspektin psikologjik kjo pjesë?

I njohim objektivat tanë dhe rëndësinë e fitoreve të kësaj natyre. Kur fiton takime të vështira, ndihmon veten, por edhe u krijon probleme ndjekësve. Gjithsesi, duhet të mendojmë vetëm për veten dhe ndeshjet tona pa bërë llogari të tjera. Ky është një faktor vendimtar sipas mendimit tim.

Në derbi ishte e katërta herë radhazi që shënojnë Ronaldo e Dibala.

Nuk ka rëndësi se kush i shënon golat përderisa skuadra fiton. Jemi të gjithë në formë të mirë dhe do të përpiqemi të fitojmë ndaj Milanit.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"