Dyshimet për trukime te ndeshja e të rinjve Lushnja-Vora, trajneri Gazheli: Nuk pati tolerim, jemi qytet futbolldashës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2021 | 22:30

Dyshimet për trukime te ndeshja e të rinjve Lushnja-Vora, trajneri Gazheli: Nuk pati tolerim, jemi qytet futbolldashës

Të rinjtë e Lushnjës janë shpallur kampionë të Kategorisë së Parë, duke siguruar një biletë për në Superiore. Skuadra e drejtuar nga Arben Hysko dhe Judmir Gaxheli ka ngritur trofeun në PezëHelmës, pasi ka mundur Vorën 2-1, në ndeshjen e fundit të fazës finale.

gazheli

Mirëpo, disa pamje filmike të qarkulluara në internet gjatë fundjavës, krijuan dyshime të forta për një tolerim nga ana e Vorës në minutat e fundit. Për këtë ka reaguar pjesëtari i stafit teknik të 19-vjeçarëve lushnjarë Judmir Gaxheli. “Në atë ndeshje nuk pati asnjë tolerim. Ishte një ndeshje e vërtetë dhe burrërore, shumë herë më e luftuar edhe se disa takime të trukuara të Superligës, Ligës së Parë dhe të Dytë. Duhet të dini se Durrësi 04 ka bërë tolerime të shëmtuara edhe me U-17, edhe me U-19… me fakte.

Sa për të sqaruar, golat e Lushnjës erdhën si rezultat i këmbënguljes nga ana e lojtarëve tanë. Normalisht kur lojtarët e Vorës morën vesh për barazimin e ndeshjes tjetër midis Durrësit 04 dhe Bylisit, që më thanë se ishte i inskenuar, humbën moralin, sepse nuk u bënte pune fitorja kundër nesh. Kjo bëri që ne të shënonim dy gola në minutat shtesë. Nuk është çudi, sepse janë ekipe të përmasave botërore dhe pësojnë disa gola në minutat shtesë.

Gjithçka që arritëm, e kemi me djersë dhe me gjak. Jemi një qytet futbolldashës, që përpos shumë halleve dhe problemeve që kemi me sportin, jemi munduar të bëjmë të pamundurën, gjithmonë me djersë dhe drejtësi, t’ia mbajmë sadopak lart emrin këtij qyteti në futboll. Këta djem të rinj dhe ne trajnerët e tyre, edhe pse në kushte të vështira, bëmë të pamundurën për t’i dhënë këtë prestigj fanellës sonë të shenjtë verdhejeshile… Me respekt, plot karakter dhe devotshmëri, për të bërë më të mirën për futbollin tonë”, deklaroi trajneri Gazheli, që bashkë me Arben Hyskon, stërvitin të rinjtë lushnjarë, të cilët në sezonin 2021-2022 do të jenë pjesë e elitës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"