Dyshimet për tolerim, Plaku: Më habit Teuta, ku ka zë nuk është pa gjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2018 | 10:40

Dyshimet për tolerim, Plaku: Më habit Teuta, ku ka zë nuk është pa gjë

Pas humbjes në derbin me Partizanin, te kamzalinjtë pakkush kishte dëshirë të fliste dje. Megjithatë, kapiteni Sebino Plalu mbetet një lider edhe jashtë fushës, duke mos u stepur për t’i thënë gjërat ashtu siç janë.  Ai në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, pohoi se Kamza e ka ditur që në fillim se do të ishte rrezikuar, nga vetë situata që prodhon kampionati.

Plaku

Ai la të dyshojë se ka aleanca ndaj kamzalinjve, pasi zërat që po përfliten, ai nuk i quan të pabaza, ku mes tyre ishte edhe parashikimi i kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu për fitoren e Teutës ndaj Laçit. Kapiteni Plaku e pranoi se është i habitur nga ecuria e fundit e Teutës, e cila i ka mundur kamzalinjtë në fushën e tyre.

A prisnit të merrnit më shumë nga kjo ndeshje?

Të them të drejtën po, pasi e kishim menduar se të dy ekipet kanë nevojë për pikë. Ne kishim nevojë për pikë shumë dhe donim të mos dilnim pa pikë nga ky takim.

E ndjeni se jeni më të rrezikuar nga ky rezultat?

Jo vetëm nga kjo ndeshje, por nga situata e kampionatit. E kemi ditur këtë situatë dhe e dinim se kështu do të shkonte. E kemi thënë në çdo deklaratë, që duam të sigurojmë mbijetesën fillimisht, pastaj të mendojmë për gjërat e tjera. Jemi në atë rrugë që e dinim. Ne ishim të vetëdijshëm që në momentin kur jemi ngjitur se jemi të rrezikuar. Ekipet që vijnë nga kategoritë më të ulëta janë gjithmonë në situata të tilla dhe për ne nuk ndryshon asgjë, jemi aty ku e prisnim.

Vllaznia dhe Teuta ju kanë llogaritur gjithmonë për mbijetesë, ndonëse keni qenë të shkëputur. Mendoni se ka aleanca në dëmin e Kamzës, pasi edhe kryebashkiaku Mëziu deklaroi para një jave se Laçi ju mundi me arbitra për t’i lënë ndeshjen durrsakëve?

Nuk e di se pse ekipet e tjera na llogarisin. Duhet t’i pyesni ata. Nëse analizojmë situatën mund të themi se ata bazohen diku. Ecuria e Teutës në 2 fazat e para ishte ajo që ishte, ndërsa tani ndryshon totalisht. Janë shumë pikëpyetje që nuk mund t’u përgjigjem unë.

Ju flisni për Teutën, por është i njëjti ekip që fitoi me ju në Kamzë me rezultatin 1-2…

Nuk po flas për një ndeshje. Ne kemi fituar 2 ndeshje me Laçin dhe ata janë në vendin e 3-të. Nuk mund të bëhen kështu llogaritë. Po flisja në tërësi për ecurinë e Teutës që është e çuditshme. Fjalët e njerëzve bazohen diku, nuk janë në ajër.

Prisni Kukësin dhe keni Skënderbeun mbrapa, sa jetike janë këto ndeshje?

Të gjitha janë. Ashtu ishte dhe kjo me Partizanin. Jemi përgatitur që të luajmë deri në javën e fundit dhe e dimë se duhet të bëjmë më mirë çdo javë. Duhet të marrim maksimumin çdo javë.

A po e dëmtoni veten me ndryshimet e shpeshta në formacion?

Ndryshimet nuk bëjnë mirë, pasi boshti i skuadrës duhet të jetë i njëjtë. Këtë ndeshje ishim pa Frashërin dhe Idrizajn dhe mungesa e tyre ndikoi, pasi janë titullarë. Nga mungesa e tyre ndryshuam dhe rolet e titullarëve të tjerë. Jemi të përgatitur dhe për këto gjëra, prandaj ne do të ecim në rrugën tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"