Dyshime se nuk po drejton me dorë të hekurt/ Poçetino në hall te PSG-ja, lojtarët nuk besojnë te aftësitë e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2021 | 12:19

Dyshime se nuk po drejton me dorë të hekurt/ Poçetino në hall te PSG-ja, lojtarët nuk besojnë te aftësitë e tij

Trajneri i PSG-së, Mauricio Poçetino, ndodhet mes dy zjarreve; nga njëra anë lojtarët e rëndësishëm të ekipit kanë vënë në pikëpyetje aftësitë e tij teknike, ndërsa nga ana tjetër ka akuza për të se e ka lënë skuadrën shumë të lirë, duke mos drejtuar me dorë të hekurt. E gjithçka ndodh kur Paris SG-ja komandon e qetë në kampionat dhe e pa shqetësuar.

POCETINO

PIKËPYETJET E LOJTARËVE – Poçetino e ka nisur mjaft mirë sezonin, duke i dhënë shumë hapësirë dhe liri krahëve të ekipit. Por, magjitë e trajnerit argjentinas kanë nisur të zbehen me kalimin e javëve dhe në dy muajt e fundit skuadra duket tërësisht e varur të xhevahirët e saj individualë, teksa i mungon struktura që përbën një ekip. Trajneri ka nisur të akuzohet nga mediat për gabime taktike.

Deri më tani ka qenë Mbape “gomonia e shpëtimit” për argjentinasin, por dhe ylli francez duket i lodhur me lëvizjet e trajnerit të tij. “Le Parisien” dhe “L’Equipe” nënvizojnë se një bosht i rëndësishëm lojtarësh si, Mesi, Mbape, Nejmar, Di Maria e ndonjë tjetër dyshojnë tek aftësitë taktike të trajnerit të tyre, duke e cilësuar si zhgënjyese punën e tij. Edhe pse Mesi e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, dyshimet qëndrojnë.

LIRIA E TEPRUAR – Analiza taktike e punës së trajnerit është njëra anë e medaljes. Tjetra ka të bëjë me administrimin që Poçetino po i bën skuadrës. “L’Equipe” ka bërë me dije se trajneri argjentinas i ka dhënë një liri të tepruar lojtarëve të tij dhe kjo nuk ndihmon.

Gazeta franceze mendon se argjentinasi i stolit të Parisit ka zgjedhur të ndjekë një politikë mirësjelljeje me lojtarët, por kur gjërat nuk shkojnë siç duhet në fushë, Poç e ka të pamundur të drejtojë gishtin nga futbollistet.

Jo më larg se 48 orë para takimit ndaj Nicës, dy lojtarë të PSG-së kanë qenë në festë, ndërsa trajneri nuk ka marrë asnjë masë ndaj tyre. Dora e hekurt që mungon duket se po i bën më shumë dëme PSG-së.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"