Dyshime për ryshfet, denoncon Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2016 | 12:00

Dyshime për ryshfet, denoncon Luftëtari

Rastet e akuzave për ryshfete në adresë të gjyqtarëve në futbollin shqiptar janë të panumërta. Njerëz të ndryshëm që nuk kanë asnjë lidhje me klubet gjatë një ndeshje shihen shpesh në stadiumet shqiptare duke qenë gjithmonë të gatshëm për të korruptuar “prenë” e radhës.

Por, rasti që denoncon klubi i Luftëtarit është me të vërtetë flagrant. Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen e së mërkurës, Turbina-Luftëtari (0-1), ku drejtori teknik i Sopotit, Nesti Binishi, ka qëndruar brenda dhe përpara dhomës së gjyqtarëve në këtë sfidë, në një kohë që nuk ka asnjë lidhje me klubin e Luftëtarit apo Turbinës që po luanin ndeshjen.

Denoncimi

Klubi i Luftëtarit zotëron filmime dhe foto ku Binishi qëndron për gjatë të gjithë takimit brenda dhe jashtë dhomës së gjyqtarëve. Dhe, gjirokastritët kanë depozituar në FSHF të gjitha provat dhe kërkojnë hetim në lidhje me këtë çështje.

“Gjatë ndeshjes kemi parë një person që nuk kishte asnjë lidhje me klubet respektive që qëndronte brenda dhe jashtë dhomës së gjyqtarëve. Kjo nuk është aspak normale dhe ne kemi depozituar provat tona në FSHF. Kërkojmë të merren masa në lidhje me këtë rast, pasi është diçka jonormale në futboll”, thuhet në reagimin e klubit bluzi.

Dyshimet

Pavarësisht se Luftëtari nuk e specifikon publikisht me emër personin, nga fotot duket qartë se është drejtori teknik i Sopotit, Nesti Binishi. Dhe nga e gjithë dinamika e ngjarjes dhe denoncimi, hidhen dyshime për ryshfet ndaj gjyqtarëve.dhuna ndaj fut te LuftetaritBinishi që është nga Pogradeci dhe më parë ka qenë pjesë e klubit të vendlindjes, sigurisht që mund ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, por që të qëndrojë brenda dhe përpara dhomës së gjyqtarëve për 90 minuta, kjo sigurisht që nuk tingëllon mirë. Çështja mbështillet me dyshime të forta kur bëhet fjalë për një zyrtar të një klubi që nuk ka asnjë lidhje me ekipet që po luanin në fushë, Turbina dhe Luftëtari. Të paktën edhe këtë sezon Sopoti që përfaqëson zyrtarisht Binishi ka dalë nga gara për t’u bërë pjesë e elitës.

Çfarë ndodhi në Cërrik

Ndeshja Turbina-Luftëtari ishte parashikuar me shumë tension për shkak të synimeve të të dyja skuadrave, cërrikasve që luftojnë për mbijetesë dhe gjirokastritëve që duan të mbajnë vendin e parë që i dërgon në Superiore.

Një takim i tensionuar dhe me ndërhyrje të rënda, sidomos nga miqtë. Kulmi arriti në minutat e fundit, kur pas një dyluftimi mes dy futbollistëve, lojtarët vendës nisin të sulmojnë ata miq. Madje, portieri i dytë i Turbinës, Xhenaldo Miza, del nga pankina dhe godet me grusht kapitenin e miqve, Fejzo Shenaj. Gjithashtu, në fushë hyjnë edhe persona të tjerë civilë që godasin futbollistët miq. Përtej përplasjes në fushë, klubi i Luftë- tarit ka hedhur dyshime edhe për ryshfet ndaj gjyqtarëve.

Reagon Binishi: Jam jashtë shtetit, më lini rehat!

Pas dyshimeve të hedhura dje nga klubi i Luftëtarit dhe provave që ata kanë vendosur në dispozicion për FSHFnë dhe gazetën se drejtori i Sopotit, Nesti Binishi, ka qëndruar gjatë të gjithë takimit brenda dhe jashtë dhomës së gjyqtarëve, “Panorama Sport” ka kontaktuar vetë me personin në fjalë. I pyetur në lidhje me denoncimin e klubit Luftë- tari dhe dyshimet e hedhura, Binishi përgjigjet me vetëm një frazë: “Jam jashtë shtetit”.

Dhe kur pyetet nëse ka qenë të mërkurën në Cërrik përpara dhomës së gjyqtarëve, ai nuk e mohon dhe as pohon duke u përgjigjur me një ton aspak normal:

“Nuk e kam fare idenë, jam jashtë shtetit! Çfarë kërkoni?! Kam problemet e mia, më lini rehat”, ka qenë përgjigjja e djeshme e Binishit. Kjo çështje është depozituar tashmë në FSHF nga klubi gjirokastrit dhe pritet që të vendosin Komisionet juridike të saj. Binishi është me origjinë nga Pogradeci dhe më parë ka qenë pjesë e klubit të vendlindjes.

Por, sezonin e fundit ai ka marrë detyrën e drejtorit teknik të Sopotit. Dhe pretendimet e klubit gjirokastrit janë pikërisht për faktin se është e papranueshme që një person, që nuk ka aspak lidhje me dy skuadrat që luanin, Turbina dhe Luftëtari, qëndronte brenda dhe jashtë dhomës së gjyqtarëve. Një rast flagrant që denoncohet nga gjirokastritët, të cilët kërkojnë të merren masa për këtë.

Përgatiti: BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"