Dyshime për moshën e sulmuesit, kontrolli i çmendur i SHISH-it habiti Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2017 | 12:06

Dyshime për moshën e sulmuesit, kontrolli i çmendur i SHISH-it habiti Flamurtarin

Frika nga azilantët që e përdorin vendin tonë si tranzit, nuk ka kursyer as futbollin. Ibrahima Toungara është goditja e fundit e Flamurtarit në këtë merkato. Lojtari nga Mali pritej t’i bashkohej ekipit më shpejt, por Shërbimi Informativ Shtetëror bllokoi vizën për lojtarin dhe transferimin e tij në Vlorë.

Toungara_0

Agjentët e SHISH kanë kërkuar në detaje çdo informacion që ka lidhje me Ibrahima Toungara. Historia familjare e lojtarit, aktiviteti i tij i mëparshëm, ekipet ku është aktivizuar dhe deri te pastërtia e figurës së tij dhe familjes ishin në qendër të morisë së informacionit të kërkuar nga SHISH.

Fakti se vendi ynë përdoret si vend tranzit nga vendet e Afrikës, ka bërë që inspektorët të mos kenë mëshirë as për futbollistin. Flamurtarit nuk i kishte ndodhur ndonjëherë që Shërbimi Informativ Shtetëror t’i kërkonte kaq shumë informacion për një lojtar. Por fakti se ai vjen nga një vend si Mali, por edhe mosha e vogël e tij kanë bërë që ky institucion të kërkojë të dhëna shtesë.

Pasaporta e Toungares

SHISH ka bashkëpunuar ngushtë edhe me dy ambasadat për informacion për këtë lojtar. I çuditshëm është fakti se lojtari në të dhënat ndërkombëtare rezulton 22 vjeç, ndërsa në pasaportë mosha e tij është 19.

KONFIRMIMI – Sinan Idrizi konfirmon faktin se Shërbimi Informativ Shtetëror bllokoi Toungaran, duke kërkuar informacion për lojtarin. Ka qenë Shërbimi Informativ Shtetëror ai që ka kërkuar informacion nga institucioni homolog i Malit për këtë lojtar.

Sinan Idrizi

Shkak është mosha e vogël e tij, ndërsa është kërkuar informacion i detajuar për këtë lojtar, që nga prejardhja e tij dhe deri te destinacioni në Shqipëri. Pasi është grumbulluar informacioni i nevojshëm, klubi vlonjat i ka dërguar vizën lojtarit.

“SHISH na ka kërkuar një informacion të detajuar për lojtarin e ri që ne kemi kërkuar të marrim. Na kanë bllokuar edhe vizën për të, por para dy ditësh ia dërguam dhe e presim që të na vijë. Shkak është bërë mosha e lojtarit. SHISH i është vënë në dispozicion çdo informacion që i është kërkuar”, është shprehur Idrizi.

Toungara

MERKATO – Lojtari nga Mali do të mbyllë edhe merkaton te Flamurtari. Administratori Idrizi theksoi se nuk priten më afrime. Kreu i klubit deklaroi se trajneri Duro ka pasur dorë të lirë për gjithçka. “Toungara do të jetë lojtari i fundit. Nuk do të ketë më afrime. Unë personalisht i kam lënë dorë të lirë trajnerit, siç kam bërë çdo sezon. I kam plotësuar çdo gjë që ka kërkuar”, përfundoi Idrizi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"