Dyndje në sulm te Lushnja, Gjyla: Luks dhe problem, për mbrojtjen zgjidhja….

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 21:36

Dyndje në sulm te Lushnja, Gjyla: Luks dhe problem, për mbrojtjen zgjidhja….

Me rikthimin e ekipit nga Sa randa, në stadiumin “Roza Haxhiu” është rikthyer atmosfera futbollistike. Verdhejeshilët e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla kanë nisur javën përgatitore në kuadrin e ndeshjes me Devollin, e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit dhe që luhet të shtunën, në orën 13:00. Trajneri Gjyla, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, ka konfirmuar largimin e Lundraxhiut dhe ka folur për situatën në skuadër në prag të ndeshjes me Devollin.

gjyla

Qendërmbrojtësi Lundraxhiu ka deklaruar se do të rikthehet në Gjermani dhe se është shkëputur nga Lushnja… 

Po, kam pasur një kontakt telefonik me lojtarin. Patjetër, nuk mund t’i ndalojmë dot futbollistët të ikin jashtë vendit për të mirën e tyre. Personalisht, do t’i jepja leje edhe sikur të ikte për punë dhe jo më për futboll po e po. Do të kisha dëshirën për ta pasur në skuadër, por nuk mund ta bllokoj. I uroj të jetë sa më mirë dhe t’i ecë sa më mbarë.

Me këtë largim, a do të ndërhyni për një tjetër mbrojtës qendre?

Pa diskutim, largimi i Lundraxhiut krijon një boshllëk në mbrojtje. Megjithatë, mendoj se ardhja e Nakos na e lehtëson punën. Do të shikojmë për Musakun apo Bashën, pra kemi alternativa të tjera dhe mendoj se do të vazhdojmë kështu. Do të mundohemi gjatë javës, ndoshta gjejmë ndonjë lojtar, por edhe po nuk gjetëm, do të vazhdojmë kështu.

E rifilloni kampionatin me një ndeshje në shtëpi, kundër Devollit. A është gati Lushnja për “sulmin” për Superioren? 

Nëse do të ecësh përpara, duhet të marrësh sa më shumë pikë për të qenë i pari. Mirë është që vitin ta fillojmë mirë, ta fillojmë me pikë të plota. Objektivi ynë i vetëm do të jetë fitorja dhe jemi gati për gjysmën e dytë të sezonit.

Lushnja

Disa alternativa në sulm, Canka, Mezini, Branica apo Ervis Gjyla. E keni zgjedhur dyshen titullare?

Është e vërtetë që kemi disa sulmues dhe secili bën punën e vet. Jam munduar t’ua shpjegoj edhe çunave. Është pozitive që kemi shumë lojtarë në sulm, por edhe pak problem, sepse duhet të gjejmë zgjidhjen dhe jo vetëm për sulmin, por për 11 titullarët. Kjo nuk do të thotë se ata 11 janë më të mirë se të tjerët dhe për këtë kam folur me çunat disa herë në stërvitje. Me qejf, me dëshirë, do t’i aktivizoja të gjithë me gjendjen që kanë, por rregullorja e futbollit lejon vetëm 11. Kështu, futbollistët duhet të jenë të gjithë të gatshëm në çdo moment, sepse kampionati është i gjatë. Vërtet sot kemi 18-19 futbollistë, por ka pasur raste që kemi pasur edhe 13, pasi janë pjesë e garës edhe kartonët e dëmtimet. Sot (dje) që po flas për “Panorama Sport”, kemi tre futbollistë të ngarkuar me nga tre kartonë të verdhë. Kampionati është i gjatë dhe çdo futbollist ka vendin e tij në skuadër.

Ju mbeti peng që nuk morët një mesfushor nga merkatoja e janarit?

Mund të gjejmë zgjidhje brenda grupit që kemi. Jo se nuk na duhej edhe një mesfushor tjetër, por na janë liruar futbollistë nëpër pozicione të tjera dhe mund ta zëvendësojmë qendrën. Jemi më ndryshe nga çfarë ishim.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"