Dyndje lojtarësh për provë, Luftëtari kthehet në “kantier”. Ja lëvizjet në klubin gjirokastrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2020 | 9:38

Dyndje lojtarësh për provë, Luftëtari kthehet në “kantier”. Ja lëvizjet në klubin gjirokastrit

Te Luftëtari vazhdojnë përgatitjet me ritëm të lartë, por njëkohësisht edhe provat. E hëna ka qenë një ditë interesante për stafin teknik, pasi u është dashur të presin e përcjellin disa futbollistë. Gjatë paradites zbarkuan në fushën “Lefter Millo” tre nigerianë, e megjithatë nuk kanë bindur.luftetar

Afrikanët po dje janë larguar nga Gjirokastra. Edhe seanca e pasdites pati surpriza. Tre lojtarë të tjerë u vendosën nën urdhrat e trajnerit Nikolin Çoçlli, konkretisht Renato Spahiu (sulmues 21-vjeçar), Aleksandër Zaimi (mesfushor 21-vjeçar) dhe Rei Qilimi (sulmues 23- vjeçar). Dy të parët vijnë nga Laçi, ndërsa i fundit nga Egnatia (edhe pse më herët ka qenë pjesë e Tiranës). Nuk mund të thuhet me saktësi nëse lojtarët e ardhur dje në radhët e Luftëtarit do të firmosin, por sot do të mësohet diçka më shumë rreth të ardhmes së tyre.

Që nga 3 dhjetori në provë është Mikel Brahilika, i aktivizuar së fundmi në radhët e Ilirisë. Mesfushori u provua më herët te Luftëtari në merkaton e verës, por asokohe nuk bindi. Një tjetër emër që vijon të stërvitet me bluzinjtë është vlonjati Albi Ahmeti, i cili luan si mbrojtës i majtë.
Coclli Nikolin, trajneri i Partizanit

Ahmeti ka kohë që stërvitet me Luftëtarin, madje është aktivizuar në ndeshjet miqësore me Luftëtarin e drejtuar nga Jorgos Marantas. Në seancën e pasdites së djeshme u zhvillua edhe një test brenda grupit për të parë më nga afër parametrat teknikë dhe kondicionin fizik të të gjithë futbollistëve. Mesfushori beratas Erald Hyseni në lojë e sipër pësoi dëmtim në kaviljen e këmbës së djathtë, duke lënë fushën para kohe.

AXHENDA 

Luftëtari ka planifikuar dy ndeshje miqësore. Butrinti dhe Skënderbeu do të jenë kundërshtarët. Me sarandjotët do t’i masin forcat pikërisht nesër, ndonëse nuk është vendosur ende nëse do të luhet në Gjirokastër apo në Sarandë. Më e qartë është axhenda me korçarët, e cila do të luhet në fundjavë në kompleksin “Tropikal”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"