“Dyfish i motivuar për t’i dhënë medalje Shqipërisë”, flet Briken Calja: Jam gati për këtë sfidë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2022 | 14:41

“Dyfish i motivuar për t’i dhënë medalje Shqipërisë”, flet Briken Calja: Jam gati për këtë sfidë

Briken Calja është pa diskutim peshëngritësi kryesor tek i cili i ka sytë e gjithë Shqipëria në Kampionatin Europian që do të nisë sot në Tiranë. Shtangisti shtërmenas vjen në këtë aktivitet pas një karriere me tituj dhe rekorde të njëpasnjëshme, si disa herë kampion Europe apo kampion bote në shkëputje vetëm disa muaj më parë.

briken-calja

Pa harruar edhe paraqitjen historike në Lojërat Olimpike të Tokios, aty ku ishte vetëm 1 kg lagr medaljes, duke u renditur i katërti, për të shënuar rezultatin më të mirë të të gjitha kohërave të Shqipërisë në një Olimpiadë. Në prag të Europianit, 32-vjeçari shfaqet më i karikuar se kurrë. Me anë të një publikimi në faqen e tij në rrjetet sociale, Calja bën të ditur se ndihet dyfish i motivuar për t’i dhuruar medalje Shqipërisë në eventin që do të startojë sot në Tiranë. Ja postimi i plotë i peshëngritësit kuqezi, i cili do të garojë në të martën në orën 20:00 në Baterinë A të peshave 73 kg:

“Kampionati Europian në Shqipëri, në tokën tonë, është një mundësi perfekte të cilës do mundohemi t’i marrim më të mirën e mundshme. Të martën në orën 20:00 ju ftoj të gjithëve të më ndiqni në Kampionatin Europian ‘Tirana 2022’ ku do të garoj në peshën deri në 73 kg. Jam gati për këtë sfidë me peshë dhe jashtëzakonisht i qartë në mendje se çfarë do të kërkoj e do të marr. Siguria e medaljeve të mëparshme dhe përgjegjësia që kampionati zhvillohet ne Shqipëri më jep dyfish motivim për këtë sfidë.

Pas vetes sime kam shumë zemra kuqezi që më përkrahin dhe kjo do të jetë forca ime për t’i dhënë Shqipërisë medalje në vendin e vet. Shihemi të martën dhe me besimin në Zot me vete shpresojmë për rezultate të larta siç Shqipëria jonë dhe njerëzit meritojnë!”, shkruan Briken Calja, duke kërkuar edhe mbështetjen e publikut për të shkruar një tjetër faqe me germa të arta në historinë e sportit dhe peshëngritjes shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"