Dy vite radhazi pa trofe pas 1 shekulli, Juventusi gati të marrë vendimin drastik për Alegrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 9:55

Dy vite radhazi pa trofe pas 1 shekulli, Juventusi gati të marrë vendimin drastik për Alegrin

“Unë nuk jam një frika cak. Nuk jam nga ata që në momentet e stuhisë braktis barkën, pasi kështu do të ishte shumë e lehtë. Madje, ideja ime është që të vazhdoj, pasi kam edhe dy vite kontratë, ndonëse kjo nuk do të thotë se është e sigurt që nga sezoni i ardhshëm jap garanci për t’u rikthyer menjëherë te trofetë. Gjithsesi, unë thashë vetëm idenë time. Unë mund të vendos vetëm për veten, pastaj vendimet i marrin të tjerët”. Ishin këto fjalitë e shkurtra, por shumë të qarta të Masimiliano Alegrit, pas humbjes me Empolin, ku mori një dopiogoditje dhe pa skuadrën e tij që të zbriste nga vendi i dytë në vendin e shtatë.

alegri

Madje, të martën edhe Xhon Elkan pas një telefonate me Alegrin kishte konfirmuar se “trajneri e ndiente përgjegjësinë e situatës dhe se donte t’i luante në maksimum dy ndeshjet e fundit”. Por në asnjë moment ai për herë të parë nuk konfirmoi trajnerin livornez.

Madje, “Gazzetta dello Sport” është e sigurt se ndoshta aventurës së dytë të “Kontit Maks” i ka ardhur fundi në Torino, pasi për të dytin vit radhazi, “Zonja e Vjetër” duhet të kënaqet me “zero titulli” (siç do ta thoshte Murinjo me theksin e tij…).

Madje, më shumë sesa mungesa e titujve, në Torino kanë nisur ndoshta të vënë re se tashmë mes 55-vjeçarit dhe grupit të lojtarëve mund të ketë nisur edhe një çarje e cila duket e vështirë që të qepet, prandaj po vlerësohet me shumë kujdes ideja e një divorci të dytë me Alegrin.

Edhe pse trajneri ka edhe dy vite kontratë, te Juventusi nuk kanë kohë që të provojnë të rrezikojnë edhe një tjetër sezon, duke pranuar edhe mundësinë e një tjetër viti pa trofe, duke qenë se diçka e tillë siç tregon historia nuk ka ndodhur kurrë.

Shkurt, ky vit që pritet të mbyllet edhe pa kualifikimin në Champions është i vështirë për t’u justifikuar edhe kundrejt një figure si Alegri, i cili ka vetëm 30 për qind mundësi të qëndrojë.

Natyrisht, për gjithçka ka ndodhur këtë sezon nuk është aspak faj i “Kontit Maks”, pasi me të gjithë vështirësitë e mundshme nga brenda dhe jashtë fushës, ai e drejtoi skuadrën të dytët, në varësi të rezultateve të arritura, por ndoshta me largimin e tij klubi kërkon që të bëjë kurban një figurë të rëndësishme, që të ndryshojë sadopak pamjen e shëmtuar që ka mbuluar klubin më të titulluar në Itali. Fundja, për rezultatet, ai që paguan gjithmonë i pari është trajneri, në këtë rast, Masimiliano Alegri…

ASNJËHERË NË 1 SHEKULL- Edhe pse 55-vjeçari ishte rikthyer në drejtimin e Juventusit si trajneri i tretë me më shumë trofe në histori (11 në total, 5 tituj, 2 Superkupa Italie dhe 4 Kupa Italie), duke pasur përpara vetëm Xhovani Trapatonin (14 trofe) dhe Marçelo Lipin (13), impakti i tij nuk ishte në asnjë moment ai që pritej.

Madje, nëse sheh aventurën e Juventusit, nuk ka ndodhur kurrë që një trajner të qëndronte në krye, pasi për dy sezone nuk ka sjellë të paktën një të tillë.

Në të vërtetë, një rast ka pasur, konkretisht në vitin 1925-1926, por Jeno Karoli, pasi kishte dështuar në dy sezonet e mëparshme, në të tretin u konfirmua në stol, pasi klubi mësoi për sëmundjen e tij shumë të rëndë, madje skuadra u rikthye te titulli kampion në Itali, por Karoli nuk e shijoi asnjëherë atë, pasi u nda nga koha, përpara se lojtarët të ngrinin kupën në qiell dhe t’ia dedikon atij nga shumë larg.

Por përjashtuar këtë dramë, në asnjë tjetër rast në Torino nuk është falur dështimi dyvjeçar. Vetë Alegri duket se në këtë aventurë të dytë me Juven është ndjekur nga fati i keq, sepse në të kaluarën janë rikthyer edhe Trapatoni (1976- 1986 dhe 1991-1994), Lipi (1994-1999 e 2001-2005), por këta kanë arritur që të festojnë edhe në aventurën e dytë. Shkurt, këtë herë “Kontin Maks” duket se nuk e ndihmon dot as historia e klubit…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"