Dy vite pa Vangjel Capon, Sejdini&CO: Simbol i Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 23:41

Dy vite pa Vangjel Capon, Sejdini&CO: Simbol i Apolonisë

U mbushën 2 vjet pa Vangjel Capon, ish-trajnerin e Apolonisë, njeriun që e ngjiti këtë skuadër në stadet më të larta të futbollit shqiptar gjatë dekadës ’80 – ’90 të shekullit të kaluar, trajnerit biond e me flokët e ndarë në mes, me staturë dhe korrektesë tipike “gjermanike”, trajnerit që drejtoi “brezin e artë” dhe të papërsëritshëm, duke i sjellë Apolonisë emra të tillë, si: Stefa, Bita, Tegu, Poçi, Pogaçe, Bare, Papuçiu, Demçe, Tole, Kokuri, I.Haxhiaj, Majaci, Jahiqi, Stroni, R.Haxhiaj etj.

Vangjel Capo

Paksa i harruar në këtë përvjetor të dytë (asnjë aktivitet i organizuar), por nuk mbetet i tillë në vlerësimin e atyre që e kanë pasur pranë Vangjel Capon: si ish-lojtarë, ish-kolegë të tij dhe jo vetëm. Dhe kjo është “in memoriam” më e vlefshme për emrin më të shquar gjatë gjithë kohëve të trajnerëve fierakë.

FARUK SEJDINI. “Xhaxhi” ka bashkëdrejtuar te Bylis dikur me Capon dhe evidenton mbresa ndër më pozitivet: “Kam pasur fatin e mirë që Vangjel Capon ta njihja si futbollist dhe si trajner, madje kemi drejtuar së bashku. Më duhet të them me shumë sinqeritet se ishte njeri tejet i përkushtuar për futbollin dhe me atë që ka bërë në Fier në aq vite, kam besim të plotë që është një nga simbolet e rrallëkrahasueshme të këtij sporti në këtë qytet”.

DHIMITËR PAPUÇIU. Ka qenë lojtar i trajnuar nga “Xhela” (akronimi për Vangjel Capon) dhe më vonë kanë drejtuar së bashku Apoloninë. Përlotet dhe psherëtin para se të japë vlerësimin e tij për këtë emër të madh të futbollit fierak, por “e mbledh veten”: “Capo arriti të bënte me Apoloninë aq mirë, saqë fitoi edhe pagëzimin ‘Babë Xhela’.

Ishte ai që na konsolidoi, futi të renë në ekip, në filozofi dhe në mentalitet dhe nga sezoni ’84- ’85 e shumë kampionate më pas, Apolonia e tij pati lulëzimin dhe kulmin. Dua të veçoj edhe anën shpirtërore të Capos: ishte hokatar dhe plot humor jashtë fushe, por po aq kërkues ndaj disiplinës në punë.

Edhe kur kam drejtuar me të, Vangjel Capo ka dëshmuar shpirtin madhështor, të sinqertë dhe shumë bashkëpunues, duke e shprehur haptazi dhe me çiltërsi kënaqësinë dhe përkrahjen që një ish-nxënësi i tij, siç isha unë në rastin konkret, të ecte përpara. Vlerësimin më të mirë për këtë emër të nderuar e bën publiku fierak dhe panshqiptar, që do e respektojë gjithherë atë që ‘Babë Xhela’ bëri në Fier”.

ILIAZ HAXHIAJ. Edhe ky pjesë e “plejadës” më të ndritur të Apolonisë së drejtuar nga Capo. “Në memorien time, Vangjel Capo mbetet trajneri i atij brezi të famshëm të futbollistëve fierakë, ku pata fatin edhe unë të isha lojtar, pjesë e atij grupi gjatë viteve ’80-’90. Capo është njeriu dhe trajneri që më ka ndihmuar shumë në karrierën time dhe sipas vlerësimit tim, ai është dhe mbetet një personalitet i futbollit jo vetëm në Fier”.

ROMEO HAXHIAJ. “Profesor Vangjel Capo ishte nga ata trajnerë që e portretizoi më së miri profilin e tij gjatë viteve ’80-’90, me punë, sakrificë dhe disiplinë të hekurt. Talentit të Apolonisë në aso kohe, ai i bashkëngjiti rregullin, konvertoi mentalitet dhe besim. E respektoi në faktor të rëndësishëm, të respektueshëm dhe të frikshëm për kundërshtarët Apoloninë e atyre viteve – meritë ‘ekskluzive’ e këtij trajneri. Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia e me radhë ‘dridheshin’ kur vinin në Fier dhe kanë pësuar edhe humbje të thella, duke qenë në kohët më të mira të tyre. Aty i keni rezultatet dhe statistikat që janë argument për atë që them.

Prof. Capo drejtoi me sukses bashkë me ishfutbollistin e tij, Dhimitër Papuçiun dhe sollën për herë të parë një trofe elitar në Fier: Kupën e Shqipërisë. Për Vangjel Capon, personalisht do të ruaj respekt të përhershëm për këtë figurë të trajningut fierak dhe më gjerë, që do të mbetet një ndër modelet e suksesit, respektit dhe përjetësisë në almanakun e futbollit të Apolonisë”.

MIKEL MBRIÇAJ. Gazetari, komentatori dhe analisti sportiv Mikel Mbriçaj, është ai që e ka ndjekur qysh në zanafillë dhe e ka intervistuar më shumë se cilido tjetër legjendën fierake të trajnimit, Vangjel Capo. Mbriçaj, një bashkëpunëtor i hershëm i gazetës sonë, shpreh këtë opinion për Capon: “Një trajner i jashtëzakonshëm! Dinte të motivonte dhe mobilizonte ekipin në çdo moment, sepse pati shkallë sipërore profesionalizmi. Një trajneri të atillë, me aq grintë, pasion dhe këmbëngulje, nuk kishte si t’i mungonin arritjet, rezultatet.

I madhi ‘Xhela’ krijoi harmoni, grup, ecuri dhe një Apoloni aq simpatike e të suksesshme. Vetëm në atë kohë stadiumi ‘Loni Papuçiu’ është mbushur për herë të fundit plot e përplot, madje gati 2 orë para se të fillonte ndeshja.

Nuk është e nevojshme të përmend emrat e futbollistëve që i kanë dhënë lavdi Apolonisë nën drejtimin e legjendarit Capo, por po shpreh dhe impresionin tim të veçantë në komentimin në radio, shkrimet në gazetë dhe analizat në televizion që kam përcjellë për atë ekip ‘alla-Capo’, që uroj të përsëritet edhe më mirë se aq. Gjer tani, për mua, ‘Xhela’ mbetet numri një i trajnerëve fierakë që kanë drejtuar Apoloninë ndër vite”.

Capo Vangjel

CILI KA QENË VANGJEL CAPO? Ka lindur më 6 dhjetor 1952 dhe ndërroi jetë më 16 tetor 2017. Veç Apolonisë, si trajner ka drejtuar Naftëtarin dhe Bylisin. Apoloninë e ngjiti në Kategorinë e Parë (sot Superiorja) dhe arriti në 3 edicione gjer në Kupat e Europës me këtë skuadër. Kohët e fundit, para ndarjes nga jeta, trajneri Capo drejtoi edhe ekipin e futbollit të femrave të Apolonisë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"