Dy vite krizë para portës, Lushnja po vuan për “bomber”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2022 | 13:22

Dy vite krizë para portës, Lushnja po vuan për “bomber”

Futbolli verdhejeshil nuk ka vuajtur thuajse kurrë për sulmues. Pa shkuar shumë larg, Artan Bano, Bardhyl Elezi, Klodian Arbri, Dorian Bubeqi, Fation Sefa, Mikel Canka kanë spikatur si golashënues dhe kanë qenë faktor në kampionat. Por, dy sezonet e fundit situata sikur është përmbysur. Lushnja nuk ka një golashënues në ekip.

LUSHNJA AGIM CANAJ

Edicionin e kaluar askush nuk bëri më shumë se 3 gola, ndërsa këtë vit shënuesi më i mirë i skuadrës është një mesfushor, pikërisht Xhonatan Lajthia. Këtij të fundit i mjaftuan dy dopieta në dy ndeshje, për të marrë këtë status në plot 19 javë të luajtura. Lushnja ka bërë 16 gola në total, por pa arritur në një mesatare një gol për ndeshje. Skuadra ndodhet në një situatë kritike dhe rrezikon rënien nga kategoria.

E megjithatë, gjithçka mund të përmbyset. Kujtojmë që në janar janë përforcuar duke rikthyer një “gjahtar” goli si Mikel Canka. Që të korrigjohet kjo problematikë që i ka zënë këto dy edicione, sytë janë të gjitha tek ai. Lojtari vazhdon të jetë në luftë me kohën për rikuperimin, pas një dëmtimi që ka pësuar. Shanset janë që të kthehet për Besën, por vendimi merret sot.

HIMA – Lushnjarët vijojnë të përgatisin ndeshjen e javës së 20-të në fushën sportive të Plugut. Rikthimi te fitorja shihet si alternativa e vetme për verdhejeshilët, që kanë mbetur në zonën e rrezikut. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi Mirjan Hima u shpreh: “Është një ndeshje ku na kërkohet fitorja. Kemi folur për rëndësinë e saj dhe e kemi shumë të qartë që në fushë duhet të bëjmë maksimumin për të marrë tri pikët. Jemi në fushën tonë dhe publiku do të jetë një shtysë e madhe për ekipin. Mendoj që ekipi është i gatshëm të reagojë dhe të tregojë se është i aftë të fitojë sërish. Goli? Po e kërkoj prej javësh dhe shpresoj që të mos vonoj. Nëse vjen këtë javë, do të ishte perfekte. Do të doja të shënoja dhe të fitojmë, kjo është ajo që mendoj”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"