Dy vite kontratë me Egnatian, Magani: Erdha për Superioren, ju tregoj çfarë më bindi…
Godet Egnatia, merr Gugash Maganin për stolin. Pasi prezantuan projektin për stadiumin e ri, tashmë rrogozhinasit kanë siguruar shërbimet e një trajneri të mirënjohur. Për dy sezonet e ardhshme, “timoni” i është besuar pikërisht 55- vjeçarit që gjatë karrierës së tij ka drejtuar Shkumbinin, Besën, Teutën, Flamurtarin e Tiranën në Shqipëri, dhe Trepçën në Kosovë.
Fill pasi është arritur marrëveshja dhe u prezantua nga klubi, në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai ka shpalosur edhe planin që ka. Qëllimi është ngjitja në Kategorinë Superiore, ndërsa nuk heziton që të konfirmojë edhe emrat e parë që do të jenë pjesë e organikës. Veç tri rikonfirmimeve, pjesë e ekipit është bërë edhe djalit i tij Arturi.
Magani është zyrtarisht trajner i Egnatias. Çfarë ju bindi?
Prej ditës së sotme (djeshme), jam pjesë e Egnatias. E zgjodha, sepse kanë një plan afatgjatë dhe mbi të gjitha objektivi final është ngjitja në elitë.
Cila është kontrata që keni firmosur?
Kam firmosur kontratë 2- vjeçare. Shumë shpejt do të fillojë edhe ndërtimi i stadiumit, ndaj ne do të bëjmë maksimumin që të ngjitemi në mesin e më të mirëve gjatë këtij projekti.
Kanë filluar rinovimet e para nga grupi ekzistues, por çfarë prisni nga merkatoja?
E vërtetë. Kanë rinovuar Vogli, Allmuça dhe portieri Hasanbelli, si edhe është afruar Magani “xhunior” (i referohet Arturit, djalit të tij). Po punojmë fort, bashkë me stafin (presidentin Demrozi, drejtorin Dranga dhe menaxherin Murati) që të afrojmë lojtarë me eksperiencë në Superiore dhe disa të rinj të talentuar.
Si ju duket formula me dy grupe?
Është diçka që s’më bën përshtypje në fakt. Pozitive është që edhe vendi i dytë lufton për një vend në elitë.
Kë shihni si rivalë, ndonëse ende nuk janë ndarë as grupet?
Nuk mund të jap një përgjigje të saktë, se ende nuk e di se në cilin grup jemi…
Po një skuadër do të donit ta shmangnit me siguri nga grupi juaj…?
Nisur nga fakti që vjet kemi qenë pjesë e Grupit të Veriut, mund të them që Besëlidhja dhe Erzeni, mbeten rivalët potencialë.
ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"