Dy vëllezët te Kukësi, Shqiprim Taipi: Fitojmë trofe së bashku…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 22:43

Dy vëllezët te Kukësi, Shqiprim Taipi: Fitojmë trofe së bashku…

Shqiprim Taipi ishte një nga afrimet më të rëndësishme të Kukësit gjatë kësaj merkatoje vere, aty ku ai do të gjejë edhe vëllanë e tij, kapiten Gjelbrimin.

Taipi

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” ai flet rreth kësaj eksperience të re, ndërkohë që i gëzohet faktit që e nisën sezonin me fitore, duke kërkuar që të ruajnë këtë ritëm edhe ndaj Kastriotit të dielën.

Për 24- vjeçarin, Kukësi si çdo sezon ka synim që të fitojë trofe, por nuk e kanë presionin e titullit, por atë të fitores së çdo ndeshjeje. Në lidhje me konkurrencën në ekip, sidomos në mesin e fushës, ai nuk i trembet aspak, përkundrazi është më i motivuar se kurrë për të dhënë maksimumin në fushë.

Shqiprim, e nisët kampionatin me fitore. Sa e rëndësishme ishte për ju?

Të them të drejtën është një rëndësi shumë e madhe kur fillon kampionatin me fitore. Përveç pikëve ka një rëndësi edhe për faktin se vetë besimi tek ekipi rritet më shumë për ndeshjet e ardhshme.

Për herë të parë e kishit vëllanë në krah, si u ndjetë?

Është e vërtet që ishte hera e parë që kemi luajtur me një ekip bashkë. Është një ndjenjë shumë e mirë për mua dhe ndihmë e madhe njëkohësisht, për arsye se është lojtar me eksperiencë dhe ka luajtur në Europë. Mund të them se jam i lumtur që jemi në një ekip bashkë.

Pse zgjodhët Kukësin për të vazhduar karrierën?

Zgjodha Kukësin për arsye se të gjithë e dimë se gjithnjë ka synime që të fitojë titullin dhe minimumi të shkojë në Europë.

A e keni pasur të lehtë të përshtateni me stilin e lojës së trajnerit dhe skemat e tij?

Në fillim ka qenë e vështirë të përshtatemi me skemat e trajnerit, pasi kemi ardhur shumë lojtarë të rinj dhe kemi pasur pak vështirësi. Është më se normale kjo gjë, por me kalimin e kohës u përshtatëm. Ju tremb konkurrenca e madhe në skuadër, sidomos në mesin e fushës? Mendoj se konkurrenca në ekip është në çdo rast për të mirën e lojtarëve që të japim 100 për qind si në stërvitje edhe në ndeshje. Nuk më tremb kjo gjë, përkundrazi më motivon më shumë.

A keni presion për të fituar titullin?

Jo, aspak. Nuk kemi presion për titullin, vetëm se duhet të marrim ndeshjet me radhë dhe të japim maksimumin në fushë. Ndeshja e radhës me Kastriotin, çfarë synoni? Normalisht kemi respekt për gjitha ekipet e Superligës, por ne do të japim 100 për qind në këtë ndeshje që të dalim nga fusha me fitore. Ky është synimi ynë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"