Dy vëllezër “marrin për dore” Besëlidhjen, Ruben dhe Redon Danaj; U kthyem, s’bëjmë më pas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2021 | 23:06

Dy vëllezër “marrin për dore” Besëlidhjen, Ruben dhe Redon Danaj; U kthyem, s’bëjmë më pas

Besëlidhja u kthye. Nëse fitorja me Vorën vlejti vetëm për moral, kjo me Apoloninë i ka ringjallur. Gjashtë pikë të plota në 180 minutat e fundit kanë shtuar shpresat për mbijetesën. Fundit i janë larguar, ndonëse vend për qetësi nuk ka ende. Protagonistë në Fier ishin dy vëllezërit Danaj, që e gjetën tri herë rrjetën.

beslidhja

Redoni shënoi i pari, ndërsa Rubeni i vendosi “vulën” me dopietë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ata na tregojnë emocionet e golave dhe paralajmërojnë se kampionati i tyre sapo ka filluar.

REDONI – Mesfushori 22-vjeçar i gëzohet golit, ndonëse mendon se më shumë mund të kishin shënuar në aneksin e “Loni Papuçiut”. “Ato që tha im vëlla qëndrojnë, pasi Besëlidhja nuk e meriton këtë pozicion kalimtar, jo vetëm si emër, por edhe për formatimin që i është bërë ekipit këtë sezon. Shënimi i një goli për futbollistin është sukses i padiskutueshëm, ndaj edhe gëzimi është shumë i madh. Për mua goli në stadiumin e Fierit është historik, sepse është goli i parë që na solli fitoren më se të merituar në një transfertë shumë të vështirë. Ajo ndeshje mund të fitohej edhe më thellë. Gjithsesi, çdo fitore ka vlerën e 3 pikëve, ndaj edhe të gëzon. Tani jemi të përqendruar te sfida e radhës ndaj Shkumbinit, pasi nuk duam që ta prishim rreshtin e fitoreve”, tha Redon Danaj.

RUBENI – Për sulmuesin 26-vjeçar Besëlidhja u kthye në habitatin e vet natyral dhe tani nuk do të ndalet më. “Për 6 javë notuam në ujëra të turbullta, çka na lodhi mjaft psikologjikisht. Ekipe si Besëlidhja di të mbledhë forcat dhe këtë e treguam, pasi u kthyem në habitatin tonë natyral. Tani jemi të qetë për të ardhmen. Pas fitores me Vorën dhe paraqitjes së mirë me Partizanin në Kupë, me Apoloninë treguam karakter. Shënuam 3 gola, pa pësuar asnjë. Dy herë ia dola dhe kjo më ka futur ‘ethet’ e goleadorit. Tashmë Besëlidhja ka nisur ngjitjen dhe nuk ka më kthim prapa. Jam i lumtur që edhe golin tjetër e shënoi vëllai im Redoni, që është në hapat e parë dhe jam i sigurt që do të bëhet një futbollist elitar”, përfundoi Ruben Danaj.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"