Dy transferta radhazi, Teuta duhet të thyejë një… ters

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 16:54

Kategoria Superiore Të fundit Teuta

Dy transferta radhazi, Teuta duhet të thyejë një… ters

Pesë ndeshje të luajtura deri më tani në transfertë dhe asnjë fitore. Teuta ka një problem jo të vogël në ndeshjet jashtë fushe. Ka pësuar dy humbje ndaj Skënderbeut dhe Laçit, ndërsa ka marrë edhe tri barazime. Me vetëm tri pikë në transfertë, më keq se durrsakët kanë bërë vetëm Luftëtari dhe Flamurtari që mbyllin klasifikimin.

tEUTA

Kalendari u rezervon durrsakëve dy ndeshje radhazi jashtë fushe, fillimisht të shtunën në Gjirokastër dhe pas dy javësh ndaj Vllaznisë në Shkodër. Në kushtet kur problem mbetet edhe shënimi i golit (vetëm 8 të shënuar në 11 javë), sfida me Luftëtarin mund të jetë idealja për thyerjen e tersit. Pra, Teuta të marrë fitoren e parë në transfertë dhe sulmuesit Nikaç dhe Khalid të zhbllokohen. Ky i fundit nuk ka shënuar asnjë gol me fanellën e durrsakëve, ndërsa malazezi të vetmen rrjetë që ka gjetur këtë kampionat është pikërisht në fazën e parë ndaj Luftëtarit.

teuta

PËRGATITJET

Teuta vijon përgatitjet për transfertën e së shtunës me Luftëtarin. Përpos rezultateve të fundit, atmosfera te “djemtë e detit” është optimiste për ndeshjen e radhës. Seanca e djeshme, e zhvilluar në kompleksin “Olympic Park”, kishte të bënte më së shumti me korrigjimin e dobësive të treguara në ndeshjet e fundit. Me ndarjen e lojtarëve në grupe dhe formacione të përziera, Shkëmbi u kërkoi të tijve përqendrim në zbatimin e detyrave tekniko-taktike.

teuta

Në Gjirokastër synohet fitorja dhe aq më tepër që luajnë ndaj një ekipi, i cili vjen pas tri humbjeve radhazi. Gjithsesi, në Durrës janë duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e radhës, për më tepër që në dy ndeshjet e sezonit të kaluar në Gjirokastër, janë mundur nga Luftëtari. Grupi i lojtarëve për këtë sfidë do të jetë i plotë për trajnerin Shkëmbi. Mbrojtësi Bllagoja Todorovski do të jetë gati pas shlyerjes së pezullimit për kartonë. Rivaliteti për një fanellë titullari është i pranishëm në çdo pozicion. Në ndeshjen ndaj Tiranës, në krahun e djathtë të mbrojtjes luajti Fabian Beqja, ndërsa me rikthimin e Todorovskit, mbetet për t’u parë nëse Shkëmbi do të vazhdojë të besojë te durrsaku apo te maqedonasi.

Zamir Qypi




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com