Dy transferta radhazi për korçarët, Memellit i shtohen problemet para “malores”/ Një titullar rrezikon të mungojë 3 javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2022 | 21:50

Dy transferta radhazi për korçarët, Memellit i shtohen problemet para “malores”/ Një titullar rrezikon të mungojë 3 javë

Skënderbeu nuk e ka nisur fort mbarë kampionatin. Vetëm dy barazime në 180 minuta e detyrojnë që të vihet në ndjekje të kreut. Korçarët nuk e bëjnë dramë dhe janë të bindur që do të rikuperojnë. E megjithatë, direkt u nis “malorja”. Dy ndeshjet e radhës do t’i luajnë në transfertë dhe përballë të sapongjiturve në Kategorinë e Parë.

Memelli Lici

Të shtunën shkojnë në Vlorë për të luajtur me Orikun, ndërsa një javë më pas përballen me Luzin 2008 në “Tofik Jashari” të Shijakut. Për një ekip të investuar dhe me histori, duken të kalueshme në letër. E megjithatë, korçarët e kanë kuptuar se transfertat nuk janë një shëtitje në këtë ligë.

Këtë e panë edhe në Pukë, ku nuk morën më shumë se një barazim me Tërbunin. Nëse bardhekuqtë duan që të marrin situatën në kontroll, këto 6 pikë duhet t’i kalojnë me sukses. Gjithsesi, skuadra i pret me jo pak probleme këto përballje. Ata duhet të luftojë me kohën për të rikuperuar problemet fizike të lojtarëve dhe të ndërtojë manovrën e duhur. Në momentet që flasim, Migen Memelli ka mungesa në organikë dhe kjo e sikletos në ndërtimin e 11-shes. Sikur të mos mjaftonte çështja “Randi” (ende nuk dihet nëse do të qëndrojë), janë edhe dy dëmtime.

Në javën e parë u dëmtua Abdul Temitope. Sulmuesi ishte pa fat, pasi pësoi tërheqje të gradës së dytë në debutim. Në kësi kushtesh i duhen të rrijë tri deri në katër javë jashtë fushave. Me shumë mundësi nigeriani do të humbë edhe transfertën e kësaj fundjave ndaj Orikut, ndërsa shpresat janë për një rikthim për Luzin. Në javën e dytë e pësoi Dritmir Beci. Shkodrani la fushën në të 12-ën minutë kundër Dinamos dhe dyshohet se ka një tërheqje muskulore në kofshë, çka mund ta lërë lojtarin jashtë për disa javë.

beci

Kontrollet e para flasin për një tërheqje të kuadricepsit në kofshë dhe në bazë të një parashikimi lojtari humb tri ndeshjet e radhës për t’u rikthyer në shërbim të Migen Memellit vetëm në mesin e muajit tetor. Gjithsesi, një përgjigje më të saktë do ta tregojnë kontrollet mjekësore të detajuara që lojtari shkodran do të kryejë në ditët në vijim.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"