Dy transferta “bombë” për Bylisin, Janku karikon ballshiotët: Gati për të vazhduar me suksese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 17:43

Dy transferta “bombë” për Bylisin, Janku karikon ballshiotët: Gati për të vazhduar me suksese

Katër vite më parë, Stivian Janku do të provonte që të luante në Superiore me Partizanin, aty ku me ekipin e U-19 të klubit pati dalë kampion që 18 vjeç. Më pas provoi një aventurë ndryshe me Luftëtarin, ku luajti një sezon dhe klubi gjirokastrit u kualifikua në Ligën e Europës. Më pas Janku zgjodhi Bylisin e Kategorisë së Parë për të vijuar karrierën në verën e 2018-ës, me synimin për t’u aktivizuar më shumë. Shumë shpejt u bë një nga më të dalluarit në mbrojtje dhe kapi një vend titullari edhe në Bylisin e Superiores. 

49042574562_6224144e7d_b

Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi flet për synimet që ka, skuadrën, por edhe ndeshjen e radhës.

“Pjesa e parë e sezonit ka qenë një eksperiencë e çmuar për mua, pasi jam 22 vjeç dhe dua të rriten më shumë profesionalisht. Sigurisht që Superiorja është ndryshe nga Kategoria e Parë, pasi ka sulmues e lojtarë me eksperiencë dhe mjaft kualitativë. Të them të drejtën, jam munduar të jap më të mirën time dhe natyrisht që kur ke lojtarë si Ntepe, Bicaj, Goxha, Peposhi, Ndreca dhe portieri Hidi, unë fitoj edhe më shumë eksperiencë”, theksoi fillimisht lojtari nga Delvina.

bylis partizani

Janku shpreson që edhe në pjesën e dytë të garës të luajë sa më shumë. “Sigurisht që çdo futbollist synon të jetë titullar. E di që konkurrencë ka në skuadër, por do t’ia mbush mendjen trajnerit. Dovedan ka një eksperiencë të madhe si trajner dhe natyrisht që ke se çfarë të mësosh prej tij. Bylisi do të vazhdojë që të ketë një mbrojtje solide. Tashmë kalendari realisht na rezervon vështirësi, sepse e nisim me dy transferta delikate, fillimisht me Tiranën dhe më pas në Durrës ndaj Teutës. Të gjitha ndeshjet mendoj se janë të forta, por ne duhet që në start të grumbullojmë sa më shumë pikë. Për ne synim është ndeshja e radhës, duke qenë me këmbë në tokë, ashtu si edhe në takimet e tjera që kanë kaluar”, përfundoi qendërmbrojtësi, i cili luan sezonin e dytë radhazi me fanellën e ballshiotëve.

ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"