Dy të huaj prishin planet, Jonuz bën gati “kurthin” për Kukësin: Çdo rezultat pozitiv do të jetë i mirë për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 9:59

Dy të huaj prishin planet, Jonuz bën gati “kurthin” për Kukësin: Çdo rezultat pozitiv do të jetë i mirë për ne

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, po bën gati “kurthin” për të goditur Kukësin nesër në “Elbasan Arena”. Maqedonasi është përpjekur të ndërgjegjësojë lojtarët se nuk kanë arritur ndonjë gjë të madhe pas fitores së thellë me Skënderbeun. Jonuz nuk do që ekipin ta pushtojë euforia se fitoi bindshëm takimin e fundit, madje ai është i shqetësuar për faktin se u druhet oshilacioneve.vllaznia

Megjithatë, optimizmi në skuadër është i madh për një tjetër rezultat pozitiv, në një kohë që kundërshtari i radhës, Kukësi, është më i fortë se Skënderbeu, të paktën me atë që ka treguar në këto gjashtë javë kampionat. Sipas edhe asaj që konfirmon klubi shkodran, shqetësimi para ndeshjes për stafin mbetet gjendja e mbrojtësit maqedonas, Gligorov dhe sulmuesit brazilian Emerson.

Të dy kanë probleme fizike, për më tepër që vijnë edhe pas dëmtimeve. “Stafi mjekësor po u kushton rëndësinë e duhur, duke shpresuar që gjithçka të jetë në rregull dhe të dy këta lojtarë të jenë të gatshëm për të luajtur. Në radhët e futbollistëve dhe stafit, ka besim se ndaj Kukësit nuk do të dalin pa pikë”, citohej dje ndër të tjera në reagimin e klubit shkodran në faqen zyrtare.

Për trajnerin shkodran, Mirsad Jonuz, një rezultat shumë pozitiv për Vllazninë do të cilësohej edhe një ndaj Kukësit. E rëndësishme për teknikun është që të mos humbet kjo betejë, e cila do të ishte shumë domethënëse edhe për vazhdimësinë në kampionat. Vllaznia në këto 6 javë ka arritur dy fitore, tri barazime dhe ka pësuar vetëm një humbje, atë pikërisht kundër Tiranës në Shkodër.mirsad jonuz

Në dy transfertat e deritanishme skuadra ka grumbulluar dy barazime pa gola kundër ekipeve të vendeve të para si Bylisit dhe Teuta. “Përballja me Kukësin do të jetë një ndeshje sa e vështirë, aq edhe delikate. Ata kanë sulmues shumë të mirë, por ne në këtë takim do të japim maksimumin. Çdo ndeshje nuk i ngjan njëra-tjetrës. Ndoshta mund të kishim fituar me Luftëtarin dhe barazuar me Skënderbeun, ky është futbolli. Shpresoj që me Kukësin të arrijmë atë që duam. Çdo rezultat pozitiv do të jetë i mirë për ne”, është shprehur trajneri Jonuz për mediat lokale.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"