Dy talente “braktisin” Shqipërinë, Mustedanagiç: Çavo zgjodhi Greqinë, Muka ende nuk është i bindur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2018 | 14:44

Dy talente “braktisin” Shqipërinë, Mustedanagiç: Çavo zgjodhi Greqinë, Muka ende nuk është i bindur

Trajneri Xhemal Mustedanagiç ka publikuar edhe listën e Kombëtares U-16, për 2 ndeshjet miqësore që do të zhvillohen ndaj Bosnjës më datat 27 dhe 29 qershor në orën 17:00.

Grumbullimi do të zgjasë 4 ditë dhe tekniku, i cili mbulon edhe ekipin U-16 dhe U-17 ka thirrur 15 futbollistë që luajnë jashtë Shqipërisë edhe 9 nga ekipet e moshave shqiptare. Në një prononcim për mediat në lidhje për këto dy takime miqësore, Mustedanagiç u shpreh:

grumbullim-i-U-16

“Mendoj se një grumbullim i tillë do të shërbejë shumë, për vijimësinë e skuadrës U-16, ku futbollistë të kësaj datëlindje kanë cilësi dhe potenciale të mjaftueshme. Janë afro 50 futbollistë të datëlindjes 2002 dhe 2003 që do të shohim gjatë këtyre ditëve, në një kohë që pas disa ditësh do të nisim edhe grumbullimin me datëlindjen 2002 me kombëtaren U-17, për të përgatitur dy takimet miqësore me Bosnjen. Më vjen keq dy lojtarë të Panathinaikosit nuk janë pjesë e përfaqësueses.

Çavo ka vendosur të luajë për Greqinë, vend ku edhe ka lindur, ndërsa Muka është ende i pavendosur. Federata ka punuar shumë që këta lojtarë t’i bashkohen Shqipërisë, kemi kontaktuar thuajse përditë me djemtë dhe prindërit e tyre, por vetë Çavo së bashku me familjen ka zgjedhur të përfaqësojë Greqinë.

Sa i takon Mukës po vazhdojmë punën dhe do të bëjmë ç’është e mundur që ai t’i bashkohet Kombëtares. E rëndësishme është që të vijë në grumbullimin e parë, aty do të shohë si punojmë ne, si jemi të organizuar dhe do të bindet nga profesionalizmi ynë.

Ballafaqime të tilla janë teste të rëndësishme për të parë skuadrën në çfarë gjendje është, pasi koha ikën dhe vijmë menjëherë në ndeshjet eliminatore zyrtare të vjeshtës”.

U17

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"