Dy serbë në provë te skuadra e Kategorisë së Parë: Erdhëm me dyshime, por këtu na duan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 4, 2021 | 19:48

Dy serbë në provë te skuadra e Kategorisë së Parë: Erdhëm me dyshime, por këtu na duan

Te Besëlidhja kanë filluar te mendojnë për lëvizjet që do bëjnë në merkato. Sulmuesit Marko Milovanoviç e Nikolla Milanoviç dhe mesfushori David Angjelkoviç kanë nisur provën dhe nëse bindin stafin teknik, do ta çojnë sërish në 4 numrin e serbëve në Lezhë. Edhe pse iku portieri Vukashinoviç dhe vëllezërit Çokiç, pjesë e organikës mbetet Milan Gjorgjeviç. Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me lojtarët, që tregojnë planet dhe pritshmëritë.

Beselidhja-goli

GJORGJEVIÇ – “Unë tani në janar mbush 9 vite nga ardhja ime te Besëlidhja. Pra, pjesën më të madhe të karrierës e kam ezauruar këtu dhe për këtë jam shumë i kënaqur. Besëlidhja mbetet më e dashura për mua, pasi përveç Serbisë e Shqipërisë, kam luajtur edhe në Bosnjë e Austri. Shpresoj që këtë vit të ngjitemi, pasi vërtet kemi shanse të mëdha. Janë afruar 3 futbollistë serbë dhe shpresoj që do të afrohen edhe 3 shqiptarë. Kështu, skuadra do të forcohet mjaftueshëm për të rikuperuar pikët e munguara”, tha 34-vjeçari Milan Gjorgjeviç.

MILOVANOVIÇ – “Kam rreth 10 ditë në Lezhë dhe jam i kënaqur me gjithçka. Gjatë këtyre ditëve stërvitore jemi përgëzuar nga trajneri, ndaj jemi shumë afër firmës në kontratë. Kur kam marrë ftesën për në Shqipëri, isha shumë skeptik. Kjo, pasi lajmet politike e kanë bërë punën e tyre. Por, këmbëngulja e Gjorgjeviçit na bindi të vijmë, të pakën ta provonim. Kur erdhëm, prekëm nga afër një tjetër realitet nga ai që mendonim. Pritje e respekt nga të gjithë dhe nga kjo jam shumë i emocionuar”, theksoi Marko Milovanoviç.

MILANOVIÇ – “Ashtu siç tha edhe Marko, edhe unë isha skeptik. Gjithsesi, tani jam plotësisht i bindur për të luajtur këtu. Shpresoj të përforcohet më shumë vitin tjetër dhe të realizoj objektivin. Unë kam luajtur edhe në Austri dhe në 2-3 skuadra të Superiores serbe. Kam eksperiencë të mjaftueshme për t’i shërbyer Besëlidhjes për arritjen e objektivave”, u shpreh Nikolla Milanoviç.

ANGJELKOVIÇ – “Kur erdha këtu, jam çuditur. Nuk e imagjinoja që marrëdhënia mes shqiptarëve dhe serbëve ishte e ngushtë. Për një javë ndryshova mendim dhe jam i qetë. Shpresoj ta bind trajnerin dhe të firmos. Gjithçka për mua këtu është perfekte. Nuk e imagjinoja që do na përkrahnin dhe respektonin kaq shumë. Këtë nuk e kam gjetur as në Austri dhe askund tjetër. Për këtë jam shumë i lumtur”, përfundoi David Angjelkoviç.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"