Dy provat dhe ndërrimi i brezave, pse jam optimist për Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Tetor 16, 2020 | 19:31


Dy provat dhe ndërrimi i brezave, pse jam optimist për Kombëtaren

SULEJMAN MEMA
Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë ishin një mundësi shumë e mirë, veçanërisht për të testuar të rinjtë dhe për të nisur procesin e rigjenerimit të skuadrës. Sigurisht, me shumë ndryshime në formacion, mund të them se paraqitja e Kombëtares ishte pozitive. Veçanërisht në ndeshjen me Lituaninë mendoj se ishte një provë edhe më e mirë se e para, pasi pashë edhe shpirtin e duhur të garës, që ne na karakterizon. Skuadra u mbrojt mirë, pati ekuilibër dhe krijoi raste të pastra për shënim.

sulejman mema
Deri tani ne kemi shënuar 2 gola dhe kemi pësuar vetëm 1 gol në katër ndeshje. Unë gjykoj nga ato që shikoj dhe kam vënë re se ka kritika për mbrojtjen, për skemën me tre lojtarë e përdorur nga trajneri Reja. Në fakt, mbrojtja është reparti më i mirë që ne kemi dhe e këtë e vërtetojnë statistikat. Edhe goli i vetëm që kemi pësuar me Lituaninë në Tiranë ka ardhur për shkak të një gabimi në mesfushë, që të gjithë e mbajmë mend si ndodhi. Në mesfushë mendoj se të gjithë lojtarët duhet të ndjekin shembullin e Abrashit, i cili ka brumin dhe dinamizmin e duhur. Mbi të gjitha ka grintën e duhur që duhet të shfaqin të gjithë lojtarët në fushën e lojës.

Në lidhje me sulmin, kemi elementë shumë cilësorë, të cilët janë të rinj dhe kanë nevojë vetëm për ndërveprim më të mirë dhe pak kohë që të ambientohen me skuadrën. Pra, e vetmja pjesë ku ne nuk jemi shumë mirë, janë krahët. Aktualisht, ne kemi nevojë për dy lojtarë anësorë që t’i japin më shumë shtytje lojës sulmues dhe të krijojnë më shumë mundësi për sulmin. E thënë kjo, e vetmja gjë që mungoi ishte goli, që kuqezinjtë tanë e kërkuan me aq shumë ngulm, por duhet thënë se nuk patën fat.
shqiperia
Duke parë moshën e re të debutuesve të shumtë dhe eksperiencën e pakët në ndeshjet ndërkombëtare, duhet të theksoj se i vlerësoj pozitivisht këto dy ndeshje. Fundja, turneu i Ligës së Kombeve është konceptuar nga UEFA për të zëvendësuar ndeshjet miqësore. Kështu që ky turne është një mundësi e mirë për të kolauduar skuadrën para eliminatoreve të Europianit 2024.

kam parë me kujdes vendimet taktike të trajnerit Edoardo Reja, për të cilin kam vlerësimet më të mira, me një eksperiencë të madhe mbi shpatulla, duke drejtuar shumë klube të Serie A. Është e kotë të zgjatemi në këtë temë. Ai u përpoq të gërshetonte zgjedhjet e tij teknike me përfshirjen e disa debutuesve në formacion. Një pjesë e vendimeve të tij ishin edhe të kushtëzuara nga mungesat e shumta të imponuara nga pandemia dhe problemet e mëdha që Koronavirusi ka krijuar edhe në marrëdhëniet mes klubeve dhe ekipeve kombëtare. Është pak e vështirë, pasi trajneri normalisht kërkon të marrë rezultate pozitive, por edhe të integrojë të rinjtë e talentuar, të cilët ne për fat të mirë i kemi me bollëk në ekipet kuqezi të moshave. Mendoj se kombëtarja meritonte 4 pikë në dy ndeshjet e tetorit, ndonëse objektivat nuk janë kompromentuar dhe jemi ende në garë për vendin e parë. Nëse bëjmë mirë në dy ndeshjet e nëntorit kemi mundësi të marrim kreun e grupit.

Sidoqoftë, përtej objektivave që janë të rëndësishëm, them se duhet të jemi të kënaqur në vija të përgjithshme nga ky proces që po ndodh aktualisht në ekipin Kombëtar. Kemi një brez mjaft të mirë lojtarësh, të cilët mund të jenë vendimtarë në të ardhmen, por që kanë nevojë për kohën e duhur dhe eksperiencë me kombëtaren. Është një moment kthese për ekipin tonë. Duhet të kujdesemi dhe t’i mbështesim të rinjtë tanë, sepse ata janë e ardhmja. Të gjithë duam që Kombëtarja vetëm të fitojë, por ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për kapacitetet tona. Në një moment të tillë nevojitet të gjykojmë me mendje të ftohtë e të jemi realistë për mundësitë tona. Ndaj them se duhet të jemi të kënaqur për atë çfarë pamë në fushën e lojës në këto dy ndeshje. Madje, mendoj se e ardhmja mund të jetë edhe më e mirë, duke parë kaq shumë talente që janë në radhë për të hapur dyert e Kombëtares.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com