Dy oferta nga Rumania, Vangjel Zguro: Dua një kontratë në Amerikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2022 | 21:41

Dy oferta nga Rumania, Vangjel Zguro: Dua një kontratë në Amerikë

Është shumë e vështirë që Vangjel Zguro të rikthehet në Shqipëri. Me rënien e Skënderbeut në Kategorinë e Parë dhe mbylljen e kontratës, kapiteni mori rrugën për Amerikë. Ideja është që të mos vijë më.

zguro

Ai po bën çmos që karrierën ta vijojë atje, edhe pse në Korçë bënë që të gjitha tentativat për ta mbajtur. Dëshira e mbrojtësit është që të qëndrojë pranë familjes dhe ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm shanset që këtë gjë ta bëjë realitet. Ofertat nuk i mungojnë dhe konkretisht është duke zhvilluar bisedime me Detroitin, ekip në ligën e dytë amerikane.

“Panorama Sport” ka komunikuar me mbrojtësin, i cili nuk ka ngurruar që të tregojë rreth mundësive që ka. Evidenton se nuk është asgjë e mbyllur, pavarësisht se po udhëton nga Çikagoja në drejtim të Detroitit për të biseduar me përfaqësuesit e klubit amerikan. “Nuk kam mbyllur ende asgjë. Madje, tani që po flasim jam në udhëtim nga Çikagoja për në Detroit. Sot (dje) do të kem një takim të parë me klubin dhe do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Por nuk është kjo mundësia e vetme, pasi po vlerësoj edhe disa oferta të tjera.

Kam një ofertë konkrete nga Rumania dhe një tjetër në Shqipëri. Por normalisht në kushtet në të cilat jam, mund të them se më e përshtatshmja për mua do të ishte një kontratë në Amerikë pasi jam pranë familjes. Por të shohim, për momentin asgjë nuk është e mbyllur”, përfundoi Zguro, që rrëfen se ka oferta konkrete nga Rumania dhe Shqipëria.

Burime për gazetën bënë me dije se nga Rumania interes ka shfaqur Gaz Metan, por jo vetëm. Listës i është shtuar edhe Agres Pitesi, ekip që sapo është ngjitur në Kategorinë e Parë. Ata janë në ndjekje të lojtarit dhe në vazhdim mund të ketë negociata, nëse shanset për të luajtur në SHBA zhbëhen.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"