Dy ndeshje radhazi në shtëpi, drejtori i Lushnjës: Ky është shansi për pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2017 | 15:59

Dy ndeshje radhazi në shtëpi, drejtori i Lushnjës: Ky është shansi për pikë

Dy pikë, dy gola të shënuar dhe gjashtë ndeshje të zhvilluara: lushnjarët mbyllin tabelën e renditjes. Në vijim kalendari është i favorshëm për verdhejeshilët, që do të luajnë dy takime radhazi në “Roza Haxhiu”. Në fillim me Laçin dhe pastaj me Teutën. Ndërkohë që faza e parë do të mbyllet me transfertë ndaj Luftëtarit. Drejtori teknik i lushnjarëve, Altin Hysko, në një prononcim për “Panorama Sport”, foli për ecurinë e ekipit, por jo vetëm.

lushnja kukesi

“Skuadra është prapa me pikë në krahasim me të tjerët. Jemi në limitet e mundësive për të marrë pikë. E them këtë, sepse i referohem kalendarit që do të luajmë dy ndeshje radhazi në fushën tonë. Janë ndeshje që përkthehen në pikë për ekipin tonë. Pas dy humbjeve duhet të rikthehemi te rezultatet pozitive dhe kalendari na e bën këtë favor”, është shprehur ish-mbrojtësi i lushnjarëve.

Duke u ndalur te humbjet e fundit, Hysko deklaroi: “Humbja me Skënderbeun ishte e pranueshme për Lushnjën. Kemi luajtur me një kundërshtar që dukshëm bën diferencën me të gjithë të tjerët dhe jo vetëm me ne. Kemi bërë një lojë të mirë, kemi shënuar, por duhet të kishim treguar më shumë kujdes në mbrojtje.

Presim më shumë nga disa lojtarë të veçantë. Ndërsa me Kukësin po të kishim një gjykim të drejtë, ekipi do të kishte marrë rezultatin pozitiv”. Ndërkohë, pas pushimit të së hënës, lushnjarët zbritën në fushë duke nisur javën përgatitore në kuadrin e ndeshjes me Laçin, që do të luhet të shtunën, në orën 14:00, në stadiumin “Roza Haxhiu”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"