Dy ndeshje brenda 24 orëve, “masakrohet” stadiumi i Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2019 | 13:49

Dy ndeshje brenda 24 orëve, “masakrohet” stadiumi i Elbasanit

Brenda 24 orëve, stadiumi “Elbasan Arena” do të mirëpresë dy ndeshje: sot miqësoren Shqipëri-Shqipëri U-21 dhe nesër finalen e Kupës së Shqipërisë midis Tiranës dhe Kukësit. Nëse për finalen e Kupës gjithçka ka qenë e programuar më herët, duke përcaktuar pikërisht stadiumin e Elbasanit si mikpritës, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për miqësoren e Kombëtareve.

Elbasan Arena]

Dihet që “Elbasan Arena” mbahet si “ujët e pakët”, sepse është ndër të paktat stadiume në vend që plotëson kriteret për të zhvilluar një ndeshje normale futbolli, ndaj dy sfida brenda 24 orëve duket e tepërt.

Shpesh është folur për “masakrimin” që u bëhen terreneve shqiptare, për shkak se brenda pak ditësh luhen shumë sfida, por, me sa duket e kaluara jo pozitive në këtë aspekt nuk ka pasur ndikim. Sigurisht që ekipet më të penalizuara do të jenë Tirana dhe Kukësi që do të luajnë finalen një ditë më pas, një ndeshje që zhvillohet për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend pas kampionatit.

Ndërkohë që vetë FSHF-ja mund të ketë pasur opsione të tjera për ta zhvilluar miqësoren mes dy Kombëtareve, në mënyrë që impianti të ishte në kushte sa më komode për ta zhvilluar finalen e Kupës së Shqipërisë. Nuk dihet nëse do ketë qenë ndonjë kërkesë e teknikut Reja për t’u ambientuar me terrenin që më 11 qershor Kombëtarja do të luajë ndaj Moldavisë, sepse më parë ishte vendosur që kjo miqësore të luhej në “Tropikal”.

Brenda 10 ditëve i bie që të luhen tri ndeshje dhe ndoshta llogaritë nuk janë bërë mirë, duke parë se edhe moti nuk është i duhuri, pasi kanë qenë ditë me shira. Shpresohet vetëm që në finalen e nesërme ekipet të mos privohen nga terreni, ndonëse stadiumi i Elbasanit ka qenë gjithnjë në kushte optimale që pas rindërtimit.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"