Dy ndeshje afat, Maldini dhe Leonardo ultimatum Gatuzos. Trajneri duhet të shkundë Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2018 | 16:33

Dy ndeshje afat, Maldini dhe Leonardo ultimatum Gatuzos. Trajneri duhet të shkundë Milanin

Megjithëse sot kuqezinjtë i pret një tjetër sfidë me peshë, siç është ajo e Ligës së Europës ndaj Betisit të Sevijës, në “Casa Milan” diskutohet ende humbja me Interin. Xhenaro Gatuzo për “Sky” pati deklaruar pas derbit se ishte i vetëdijshëm që gjykohet për rezultatet, sepse e tillë është bota e futbollit. Pikërisht rezultat janë ato që janë nën lupën e drejtuesve, të cilët pavarësisht sforcimeve të mëdha ekonomike për të përforcuar ekipin dhe për të evituar ndëshkimin nga UEFA, shohin një ekip që “lundron” në ujërat e turbullta të një sezoni më parë.

milan

TAKIMI – Stërvitja e fundit e skuadrës u monitorua dje nga drejtori për Zhvillim, Paolo Maldini. Sipas gazetarit të “Sky”, Paolo Kondo, drejtuesit Leonardo dhe pikërisht Maldini kanë pasur një takim me trajnerin e skuadrës. Në fokus ka qenë gjendja e ekipit në prag të ndeshjes, por edhe e ardhmja. I njëjti burim bën të ditur se Gatuzos i është konfirmuar një lloj besimi i përkohshëm. Sfidat ndaj Betisit sot dhe ajo e fundjavës ndaj Sampdorias mund të jenë përcaktuese për të ardhmen e teknikut 40-vjeçar, ndaj atij dhe ekipit i kërkohen rezultate, por edhe reagim në nivel loje dhe mendësie.

PASUESIT – Emri më i përfolur për të pasur Gatuzon është ai i Roberto Donadonit, i cili respekton më së miri moton e pronarëve “Milani, milanistëve”. Edhe kostot e operacionit do të ishin më të përballueshme, teksa duhet pasur parasysh se një shkarkim i Gatuzos u kushton kuqezinjve diçka më shumë se 7 milionë euro (përshirë taksat) sepse kontrata i skadon pas dy vitesh. Emri tjetër, dhe pse shumë më i komplikuar, është ai i Antonio Kontes. Ish-trajneri i Çelsit i ka dhënë disponueshmërinë Realit të Madridit, pa harruar se ardhja e tij duket e papërballueshme për arkat kuqezi në këtë moment.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"