Dy muaj pa fitore dhe me presionin e rënies nga Kategoria, Kukësi me sytë nga Rashiti e Barbosa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2023 | 19:34

Dy muaj pa fitore dhe me presionin e rënies nga Kategoria, Kukësi me sytë nga Rashiti e Barbosa

Dy muaj pa fitore, Kukësi me sytë nga Rashiti dhe Barbosa Kukësi ndodhet në rënie të lirë, pikërisht në mbyllje të sezonit, ku kërkohet më shumë vigjilencë dhe ajo që është më e rëndësishmja, pikët. Verilindorët bënë gjashtë takime radhazi që nuk fitojnë, me vetëm tri barazime dhe po kaq humbje, çka nënkupton vetëm tri pikë nga 18 të mundshme.

kukesi

Me një mesatare prej gjysmë pike për ndeshje, blutë janë të destinuar të vuajnë deri në fund dhe të rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria. Kur kanë mbetur edhe pesë javë nga fundi i kampionatit, në Kukës kërkohet një sforco për ta kaluar këtë situatë dhe për të mbajtur të paktën ekipin në elitë. Skuadra ka dy muaj që nuk njeh shijen e trepikëshit, pasi fitorja e fundit në kampionat i përket 10 marsit ndaj Bylisit në “Kukës Arena”, ku triumfuan 2-0.

SULMI – Kur skuadra nuk fiton, menjëherë reparti që vihet nën akuzë është sulmi. Dhe, në Kukës nuk i kanë aspak mirë punët me sulmin, sepse ka çaluar jo pak këto kohët e fundit. Mjafton të thuhet se në gjashtë takimet e fundit skuadra ka shkuar vetëm dy here te goli, në barazimin ndaj Erzenit 1-1 me rrjetën e Gabriel Barbosës në fund dhe humbjen ndaj Tiranës 2-1, ku shënoi Atdhe Rashiti. Në katër sfidat e tjera ky repart ka qenë “shterpë”. Për fat të keq, forma jo e mirë e Rashitit dhe Barbosës nuk po ndihmohet edhe nga shokët e tjerë të skuadrës, sepse as ata nuk po dinë si të shkojnë në rrugën e rrjetës. Shpresohet të paktën që në këto javë të mbetura situata të ndryshojë për mirë, edhe pse përballë do të kenë ndeshje të vështira.

LËVIZJET – Edhe vetë trajneri Rraman Hallaçi e ka vënë në dukje që diçka nuk shkon me ekipin, duke bërë shpesh edhe lëvizje në formacion. Në ndeshjen e kaluar me Teutën la në stol disa prej titullarëve, duke nisur nga portieri Tafas dhe vijuar me Shqiprim Taipin dhe Edi Bashën. Por, as këto manovra në formacion nuk sollën rezultatin që pritej, sepse Kukësi sërish nuk u kthye te goli dhe rrjedhimisht mori vetëm një pikë ndaj Teutës. Me Partizanin pritet të ketë sërish lëvizje, me shpresën se blutë do të bëjnë kthesën në rezultate. Gjithsesi, Hallaçi ka edhe disa ditë në dispozicion për të kristalizuar titullarët që do të hedhë në fushë për këtë sfidë, e cila vlen shumë në këtë fundsezoni. Sytë janë edhe nga zhbllokimi i sulmuesve Rashiti dhe Barbosa.

PRESIONI – Në kampin kuksian presioni ka arritur kulmin, sepse drejtuesit nuk e prisnin aspak që ekipi të jetë në një rrezik serioz për të rënë nga kategoria. Ky presion është evidentuar edhe në fushë, ku ekipi nuk po del dot te rezultatet që ta largojnë nga zona e ftohtë. Për momentin, klubi ka evituar gjobat apo penalitetet, të paktën publikisht, por gjithsesi rezultatet reflektojnë presionin që po kalon skuadra. Ndaj Partizanit shpresohet që verilindorët të bëjnë një sforco të madhe.

KARTONËT – Në ndeshjet e fundit të sezonit, të cilat janë vendimtare, Kukësi duhet t’i bëjë mirë llogaritë edhe me kartonët, në mënyrë që të mos privohet nga mungesat për këtë arsye. Për sfidën me Partizanin nuk ka asnjë lojtar të ndëshkuar, por janë plot katër që rrezikojnë nëse marrin një tjetër të verdhë. Bëhet fjalë për Shqiprim Taipin, Jakup Berishën, Ebert da Silvën dhe Abdou Mbarak, të cilët nëse do të luajnë duhet të tregojnë kujdes në lojë

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"