Dy muaj në Ganë, mesfushori dhe sulmuesi i Skënderbeut bëhen… “telenovelë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2021 | 14:34

Dy muaj në Ganë, mesfushori dhe sulmuesi i Skënderbeut bëhen… “telenovelë”

Mesfushori Randi Dumfur dhe sulmuesi Alfred Mensah pritet që të bashkohen me Skënderbeun këtë javë. Çështja e dy lojtarëve nga Gana u kthye në një telenovelë, teksa prej dy muajsh ata ndodhen në shtetin afrikan dhe e kanë pasur të pamundur për të ardhur në Shqipëri dhe për të vijuar kontratën me Skënderbeun.

DUMFUR

Problemi me plotësimin e dokumentacionit dhe burokracitë nëpër ambasada për pajisjen e tyre me vizë, kanë bërë që ganezët të humbasin fazën përgatitore. Gjithsesi, duket se pritja e gjatë e dy lojtarëve ka marrë fund, pasi ganezët kanë marrë tashmë dritë jeshile për sa i përket bashkimit me grupin.

“Panorama Sport” ka kontaktuar me Randi Dumfur, i cili ka bërë me dije se gjithçka është zgjidhur pas kësaj pritjeje të gjatë. “Ka qenë një pritje shumë e gjatë, që deri diku na ka lodhur, pasi nuk po gjenim dot zgjidhje për sa i përket plotësimit të dokumentacionit.

Kishim probleme të shumta, jo vetëm me vizën për në Shqipëri, por edhe lejen e qëndrimit dhe të punës. Gjithçka ishte bllokuar dhe ende nuk e dimë se cilat ishin arsyet e vërteta, por, tani u mbyll kjo histori dhe kemi marrë njoftimin se do të nisemi këtë javë drejt Shqipërisë.

alfred mensah

Ishte një lajm që e prisnim shumë. Kam folur vazhdimisht edhe me Mensah dhe të dy ishim në pritje. Mezi presim që të bashkohemi me ekipin në fazën përgatitore.

Do të na duhet kohë për të kapur formën, por gjithsesi kemi punuar individualisht në Ganë. Personalisht jam i motivuar për të bërë mirë këtë sezon, që besoj se do të jetë shumë më i suksesshëm nga ai që mbyllëm”, ka thënë dje për gazetën mesfushori Randi Dumfur.

MBIPOPULLIMI

Me mbërritjen e dy lojtarëve ganezë, korçarët duhet të lirojnë vendet e repartit të sulmit, i cili është tejet i fryrë. Me mbërritjen e Mensahut, numri i sulmuesve në ekip ka shkuar në gjashtë.

Shifër tepër e lartë për një repart që Memelli është i bindur që të luajë vetëm me dy sulmues në pjesën më të madhe të kampionatit.

Për këtë arsye, duket se dy nga gjashtë lojtarët që janë aktualisht në kontratë me korçarët, pritet që të huazohen në një tjetër ekip.

Maliqi i Kategorisë së Parë është në pritje dhe mbetet i interesuar për të afruar lojtarë nga Skënderbeu. Veç mbipopullimit në sulm, korçarët kanë edhe probleme në mesfushë, ku është edhe reparti më i zbrazët.

Për momentin janë vetëm katër lojtarë të gatshëm për Memellin, por që nuk mund të përballojnë dot ngarkesën e sezonit. Për këtë, trajneri bardhekuq insiston për hyrje në merkato pikërisht në këtë repart.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"