Dy “miqësoret” e fundit, Elbasani bëhet gati për festë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2018 | 15:47

Dy “miqësoret” e fundit, Elbasani bëhet gati për festë

Elbasani është vetëm 180 minuta larg rikthimit në Kategorinë e Parë, teksa në dy përballjet e fundit do t’i mjaftonin katër pikë për të siguruar matematikisht ngjitjen. Në një kampionat ku nuk kanë humbur asnjë ndeshje, duket gati e pamundur që verdhebluve t’u ikë kampionati nga duart pikërisht tani në fund.

elbasani-470x353

Fitorja me Tepelenën ishte një detyrë shtëpie për elbasanasit, duke i mbajtur në krye të klasifikimit. Diferenca me dy pikë ndaj Orikumit dhe Albpetrolit po ruhet me fanatizëm prej shumë javësh dhe pikërisht këto dy pikë ia kanë dalë të bëjnë diferencën për skuadrën që do të ngjitet në Kategorinë e Parë.

PROBLEMET

Edhe pse një skuadër që ka pasur probleme të mëdha në aspektin drejtues, për shkak të ngërçit me aksionet dhe problemet me pagesat, për fat të mirë këto çështje jashtë fushe nuk janë reflektuar brenda saj. Ndaj, në dy ndeshjet e ardhshme skuadra pritet të luajë me motivin e vetëm për të nderuar fanellën dhe veten e tyre dhe janë të gjitha gjasat që elbasanasit të marrin pikët e mjaftueshme.

Elbasani

Fillimisht këtë javë do të luajnë në transfertën e Memaliajit dhe më pas do të presin në shtëpi skuadrën e Maliqit. Avantazhi i verdhebluve është se luajnë me dy ekipe që nuk kanë më asnjë synim në këtë fundkampionati. Prandaj, duket e pamundur që Elbasani të hasë probleme pikërisht në këtë moment të garës.

Ndërkaq, ashtu siç e bëri të ditur edhe ishpresidenti Arben Laze, i cili po i qëndron afër skuadrës, pritet që të ketë ndryshime në ekip në sezonin e ardhshëm. Klubi verdheblu ishte në nivelet më të larta të futbollit shqiptar më shumë se një dekadë më parë, por tashmë po përjeton momente shumë të vështira duke përfunduar deri në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, ngjitja në të Parën është vetëm 180 minuta larg.

Vladimir Mema

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"