Dy miqësore brenda javës, Magani: Vazhdojmë të jemi të përqëndruar në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2017 | 11:48

Dy miqësore brenda javës, Magani: Vazhdojmë të jemi të përqëndruar në merkato

Skuadra e Teutës nuk i ka ndërprerë për asnjë moment përgatitjet në Ohër, ku edhe është e grumbulluar për të zhvilluar fazën përgatitore të sezonit të ardhshëm. Lojtarët e drejtuar nga trajneri Magani janë në formë të mirë dhe gjashtë javës së ardhshëm parashikohen të luhen dhe dy ndeshje miqësore.

magani

Të mërkurën, durrsakët do të kenë përballë kampionët e vendit, Kukësi, dhe të shtunën do të luhet ndaj Strugës. Trajneri Magani do të ketë mundësi që të testojë gjendjen e lojtarëve të ardhur së fundmi në skuadër, siç janë dy nigerianët dhe Moçka me Tarikun. Këto ndeshje do të tregojnë edhe formën e tyre reale.

DEKLARATA

Për trajnerin e Teutës, Gugash Magani, përgatitjet janë duke shkuar në rrugën e duhur. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai ka komentuar seancat stërvitore, si dhe merkaton, ku pret të tjera goditje.

“Gjithçka po shkon mirë dhe po stërvitemi me intensitet të lartë. Kam një ekip të plotë dhe të gjithë janë në gjendje të mirë. Rëndësi ka fakti që asnjë prej futbollistëve nuk vuan nga ndonjë dëmtim fizik. Kemi planifikuar që në vazhdim të zhvillojmë dy ndeshje miqësore, ku do të provojmë lojtarët që janë afruar së fundmi, pasi për futbollistët që kam pasur në skuadër gjatë kësaj periudhe kam të gjithë informacionin e mjaftueshëm”, tha trajneri.

MERKATO

Një problem që kanë hasur drejtuesit e Teutës i takon lojtarit nigerian Latifi, i cili ende nuk është bashkuar me pjesën tjetër të ekipit.

“Gjatë ditëve në vijim do të sistemojmë ekipin dhe do të them që ka mundësi të afrojmë të tjerë futbollistë. Latifi do të vijë në skuadër në ditët në vijim, pasi në këto momente po has vështirësi për pajisjen me vizë. Por, e përsëris, do të jemi të përqendruar edhe në merkato”, ka mbyllur trajneri Magani. Teuta e sezonit të ardhshëm do të ketë objektiva për t’u renditur në vendet e para të tabelës së klasifikimit.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"