Dy miliardë lekë për 5 vite, Lushnja një dështim i plotë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2018 | 16:42

Dy miliardë lekë për 5 vite, Lushnja një dështim i plotë

Mbylljen e një sezoni duke qëndruar në elitë, lushnjarët e kanë në pranverën e 2005-ës; me Mirel Josën në pankinë, që arriti në vendin e shtatë dhe në çerekfinale të Kupës. Prej atëherë, rrallëherë është shfaqur një futboll i madh. Të shumta kanë qenë iluzionet dhe dështimet me tepri. Kanë rënë të gjithë nga pak. Askush nuk ka qëndruar më në “nivelet e larta”. Klubi ra në dorë të Bashkisë. Skuadra nuk e duron dot elitën dhe qëndron gjatë në Kategorinë e Parë.

Dashamirësit e futbollit verdhejeshil e ndjekin nga shtëpia dhe që të ekzistojë ky futboll formal, duhet të miratojë çdo vit 300 apo 400 milionë lekë nga taksat e qytetarëve dhe shpenzime dytësore. Këto fonde që i duhen futbollit janë të taksapaguesve lushnjarë që me punën dhe djersën e tyre, krahas krijimit të kushteve normale, jetësore të familjes, paguajnë taksat. Nuk është serioze dhe logjike që këto lekë të investohen në një aktivitet biznesi sportiv, që rezulton me produkt negativ. Nuk është një sekuencë, një ndërhyrje, një emergjencë, por një shpenzim sistematik i pandërprerë, prej 5 vitesh radhazi që shkon afërsisht në 2 miliardë lekë. Sikur kjo shumë të investohej për terrenet sportive, pse jo dhe për shkollë futbolli, atëherë këto para do të merrnin bekimin e qytetarit sportiv lushnjar, në mënyrë të veçantë të specialistëve dhe dashamirësve të futbollit.

luftetari lushnja

PRIVATIZIMI – Pas pesë vjetësh, ka ardhur koha që sh.a “KF Lushnja 1930”, të mos mbahet më me lekët e taksapaguesve lushnjarë, por me aksionerë të tjerë, ku shumicën e aksioneve ta bëjnë kompanitë private. Duke mos vënë kufizime tek aksionerët lushnjarë apo të huaj. Kjo do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë dhe të rezultateve të ekipit. Kjo do të bënte që ndjeshmëria dhe përgjegjësia të ishte më e madhe, që do të sillte rezultate më të mira. Serioziteti, kërkesa e llogarisë, përkushtimi i drejtuesve tekniko-administrativ do të ishte më i madh me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë dhe rezultateve. Nuk është njësoj të shpenzosh para të shtetit për një produkt negativ, ashtu sikundër me këto para të kishte rezultate pozitive.

Jepen 400 milionë lekë për të argëtuar njerëzit dhe këta mungojnë në stadium sepse nuk ka motiv, nuk ka rezultat. Prandaj, ka ardhur koha që kjo mënyrë administrimi të ndryshojë, ku kontributi i aksionerëve të tjerë duhet të prevalojë, të jetë dominant. Kështu, përgjegjësia do të jetë më e madhe, angazhimi më i madh, pjesë- marrja e publikut më e madhe. Gjë që do të çojë në rritjen e cilësisë tekniko-administrative të klubit të futbollit. Gjëja më elementare është të bëhet një testim për mënyrën e menaxhimit dhe administrimit. Për këtë duhet një vendim nga Bashkia Lushnjë që klubi është në shitje. Për pesë vjet janë dhënë afërsisht 2 miliardë lekë, pa asnjë ndikim në komunitetin sportiv. Shpenzim i drejtpërdrejtë nga taksapaguesit lushnjarë që duhet t’u kthehet atyre në investime. Këto eksperienca gjithmonë kanë dështuar. Lushnja është ndoshta rasti më evident.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"