Dy mbrojtës mbeten në Ganë, ja prapaskenat te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2020 | 9:46

Dy mbrojtës mbeten në Ganë, ja prapaskenat te Skënderbeu

Merkatoja u mbyll, por Skënderbeu është ende në pritje dhe nuk po pret ndonjë përforcim të ri, por lojtarët që i ka federuar tashmë. Bëhet fjalë për ganezët, të cilët nuk kanë ardhur që të gjithë. Edhe pse klubi kishte projektuar 4 të tillë, vetëm 2 javë vënë nën urdhrat e Julian Ahmatajt. Nëse Denis Dovouna dhe Samuel Armah po stërviten me grupin, nga dy të tjerët vetëm njëri ka shanse që t’u bashkohet korçarëve.

Abei dhe Teteh

E megjithatë, siguri ende nuk ka. Afati i ardhjes mbetet i papërcaktuar. Gazeta mëson se Agbodzie Abei nuk do të vijë në Korçë dhe vendimi duket se ka qenë i klubit në këtë rast. Ata mendojnë se e kanë blinduar qendrën e mbrojtjes me Mërgim Shalën, Ditmar Bicajn e Harallamb Qaqin. Tërësisht ndryshe paraqitet situata për Jozef Ado Teteh. Ai do të kryejë disa ekzaminime, për shkak të një problemi fizik të pasur pak kohë më parë.

Burime nga klubi thonë për “Panorama Sport” se bëhet fjalë për një pubalgji dhe kjo e pengon 18-vjeçarin të bashkohet direk me ekipin në këtë “dritare” transferimesh. Vetëm pasi të zgjidhë problemet fizike, mbrojtësi i linjës së majtë mund të marrë rrugën drejt Shqipërisë dhe t’i bashkohet grupit.

TESTET – Me bojkotin që vazhdon, Skënderbeu po mendon që të mbushë fundjavën dhe mbajë ekipin në kushte loje. Julian Ahmataj ka vendosur të testojë të gjithë grupin e lojtarëve për të krijuar një ide më të qartë të formës së tyre dhe, pse jo, të ideojë 11- shen ideale.

Lici Skenderbeu

Për këtë arsye numri një i pankinës korçare ka zgjedhur të bëjë dy miqësore brenda dy ditësh. Do të përballet fillimisht sot me Egnatian, ku me shumë mundësi do të ketë një alternim mes lojtarëve të ardhur së fundmi dhe elementëve të rinj në ekip.

Takimi do të luhet në Peqin, prej orës 15:00. Pas 24 orësh, pra të shtunën, kanë programuar një tjetër ndeshje. Por këtë herë korçarët do të matin forcat me një ekip elitar. Bylisi do të jetë mik në “Tropikal”, atje ku stafi teknik do të hedhë në fushë titullarët e piketuar ndoshta për javën e parë të kampionatit. Ky 90- minutësh do të startojë në orën 11:30 dhe më pas bardhekuqtë do të kenë dy ditë pushimi për të rigjeneruar forcat dhe energjitë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"