Dy mbrojtës dhe një mesfushor, zbardhen kërkesat e Arapit ndaj drejtuesve të Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2022 | 14:35

Dy mbrojtës dhe një mesfushor, zbardhen kërkesat e Arapit ndaj drejtuesve të Teutës

Teuta ka nisur një projekt të ri. Drejtuesit vendosën të rikonfirmojnë një trajner me shumë përvojë si lojtar, por që me vetëm një sezon në stol, bëri shumë mirë. Ai është Renato Arapi, i cili ka marra përsipër përgjegjësinë për të ndërtuar një skuadër konkurruese, dhe jo vetëm. Qëllimi nuk është thjesht pjesëmarrja në Kupat e Europës, por edhe evidentimi i futbollistëve cilësorë që mund të sjellin të ardhura të rëndësishme në arkën e klubit.

TEUTA 2

Nga 25 lojtarë që ishin para fundit të sezonit u vendos që të firmosej divorci me të shkuarën. Dhe e shkuara ishin: Aleksi, Ivanoviç, Daja, Avdyli, Akua, etj, ndërkohë që janë afruar shumë futbollistë të rinj për të cilët pritshmëria e drejtuesve është e madhe. Të gjithë janë lojtarë me moshë të re, të cilëve do t’u ofrohet mundësia për të treguar vlerat që disponojnë.

MERKATO

Mësohet gjithashtu se Teuta është në kërkim të një qendërmesfushori, i cili të ketë një marrëdhënie të ngushtë me fazën mbrojtëse, teksa po synohen edhe dy qendërmbrojtës.

KËRKESAT

Drejtuesit së bashku me trajnerin po vijojnë punën për të plotësuar skuadrën në kuadër të sezonit të ri. “Djemtë e detit” po vijojnë stërvitjen në Durrës, ku pas 16 ditësh do të luajnë dhe ndeshjen e parë me Laçin. Me dy miqësoret e fundit të programuara, atë ndaj Besës të shtunën dhe Partizanin më 13 gusht do të ketë dhe një ide për formacionin tip të Arapit. Deri tani, për fat të mirë çdo gjë po shkon mbarë dhe shpresohet që deri në ndeshjen e parë të kampionatit të jenë gati.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"