Dy liderët e Flamurtarit, Ribaj qartëson të ardhmen. Moçka nuk duket në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 13:27

Dy liderët e Flamurtarit, Ribaj qartëson të ardhmen. Moçka nuk duket në stërvitje

Andi Ribaj do të rikthehet. Flamurtari merr një lajm të mirë, në pritje të javës së 3-të të Kategorisë së Parë. Në një kohë kur u mendua se sulmuesi nuk po kthehej për shkak të çështjes së pagave, situata ka ndryshuar. Ka qenë vetë lojtari i cili ka qartësuar gjithçka në një deklaratë të shkurtër të dhënë për “Panorama Sport”. “Kam qenë sëmurë. Do të rikthehem në stërvitje nesër (sot) ose pasnesër (nesër). Nuk ka asnjë problem tjetër që kam munguar. E vetmja gjë është kjo që po ju them. Kam qenë i sëmurë”, u shpreh kapiteni.
ribaj
MOÇKA – Por e ndryshme duket se paraqitet situata me Shpëtim Moçkën. Portieri ende nuk po del në stërvitje. Duket se e vetmja gjë mbetet pagesa. Mësohet nga burime pranë lojtarit se vlonjati kërkon që të paguhet për sezonin e shkuar dhe vetëm atëherë do të rikthehet.
Flamurtari Mocka
Megjithatë, burime pranë klubit konfirmojnë për gazetën se Moçka është lojtar i Flamurtarit dhe nuk e cilësojnë të larguar. Tashmë mbetet që të shikohet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë.

FEDERIMET – Katër lojtarët e rinj, të ardhur në Vlorë gjatë kësaj merkatoje, nuk janë federuar ende. Asnjë e re në lidhje më këtë çështje. Sistemi i FIFA-s ende nuk po hapet dhe Tarik Çmajcanin, Burak Menga, Alvi Ahmetaj dhe Stiven Puci nuk mund të luajnë me ekipin, edhe pse po stërviten me grupin. Ata janë aktivizuar në miqësore, por debutimin në ndeshje zyrtare nuk e kanë provuar ende. Klubi pretendon se ka gjetur konsensusin me dy lojtarët të cilëve u kishin borxhe për t’i bërë pagesat me këste, por merkatoja mbetet ende e bllokuar.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"