Dy largime nga Lushnja, trajneri Gjyla: Kujdes me afrimet, të mos nxitohemi në merkato!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2021 | 22:07

Dy largime nga Lushnja, trajneri Gjyla: Kujdes me afrimet, të mos nxitohemi në merkato!

Lushnja ka zbritur dje në fushë, për të nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit. Periudha e pushimit të ndërrimit të viteve ka zgjatur shumë pak për verdhejeshilët, vetëm 4 ditë. Ka pasur rrjedhje në hyrje të këtij viti, ndërsa zyrtarisht nuk janë më pjesë e ekipit Renato Dervishi dhe Luis da Silva. Kjo javë pritet t’u dedikohet provave, gjë që e pohon në një prononcim për “Panorama Sport” vetë trajneri Ilir Gjyla. “Sot (dje) filluam stërvitjen. Ndërkohë që i kemi porositur futbollistët të punojnë individualisht në ditët e pushimit. Nuk kemi kohë për të humbur. Kampionati fillon shpejt. Na duhet të përforcohemi dhe presim disa futbollistë që do t’i nënshtrohen provës.
iLIR gJYLA
Ndërkohë që disa i kemi kërkuar ne, disa të tjerë na janë vetofruar. Gjatë kësaj jave do të kemi shumë futbollistë në provë. Nesër (sot) do të kemi shumë prurje, që fillimisht do t’i shohim dhe më pas do të vendosim për ta. Kemi thënë se na duhet të përforcojmë disa reparte dhe do të mundohemi ta bëjmë këtë, por nuk do të nxitohemi, edhe pse nuk kemi shumë kohë në dispozicion. Jo se në fazën e parë jemi nxituar, por nuk duhet të na ndodhë e njëjta gjë. Kishim aq kohë sa të ndërtonim skuadrën. E bëmë këtë dhe kampionati ynë ishte pozitiv. Por, nëse do të na lejojnë mundësitë, edhe tani do të zgjedhim më të mirën, pse të mos e bëjmë.
Lushnja
Do t’i shikojmë me kujdes. Kapacitetet për t’i parë i kemi, kështu që nuk do ta kemi problem. Do të grumbullohemi këtu në Lushnjë dhe do të stërvitemi po këtu. Kjo, për dy arsye: e para, sepse nuk kemi kohë dhe, e dyta, sepse kemi disa lojtarë që do të na vijnë në provë. Kontingjenti i ekipit është po ai, me përjashtim të brazilianit Luis da Silva, i cili nuk bëhet më nga dëmtimi. Edhe Dervishi është larguar drejt Anglisë, por ka mundësi të ketë edhe ndonjë rrjedhje tjetër”, ka përfunduar tekniku i lushnjarëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"