Dy javë thatësirë në “Skënder Halili”, Tirana spostohet në “Selman Stërmasi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2020 | 22:05

Dy javë thatësirë në “Skënder Halili”, Tirana spostohet në “Selman Stërmasi”

Mungesa e ujit në zonën e Qytetit të Nxënësve, ku është edhe kompleksi “Skënder Halili”, detyron stafin e Tiranës që këtë javë t’i zhvendosë stërvitjet në stadiumin “Selman Stërmasi”. Prej dy javësh nuk ka ujë te kompleksi dhe fusha po digjet, duke u bërë e papërdorshme gjatë këtyre ditëve. Duke parë gjendjen dhe faktin që Tirana do të vazhdojë punën në atë fushë nga stafi është spostuar stërvitja në ish-stadiumin “Dinamo”.
skender halili
Ky veprim është kryer që të ruhet fusha dhe skuadra të stërvitet në një ambient të qetë dhe në kushte komode. Jo vetëm kaq, por Tirana do t’i mbyllë me shumë mundësi përgatitjet në “Selman Stërmasi”, pasi fusha prej dy javësh nuk vaditet normalisht në “Skënder Halili”, por vetëm në kushte emergjence. Gjithashtu, që nga sfida miqësore me Dinamon, skuadra do të qëndrojë në një hotel dhe do të bëjë vetëm rrugën e stërvitjes që të mos ketë asnjë kontakt me njerëz të tjerë dhe që t’u ruhet infektimeve nga Koronavirusi.

Gjasat janë që të mos ketë asnjë kontakt të jashtëm, që të jetë i pastër nga një infektim i mundshëm i skuadrës bardheblu. Presidenca po i plotëson të gjitha kushtet Tiranës që skuadra të jetë në formën optimale për sfidën e 1 tetorit kundër Jang Bojsit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"