Dy ish-futbollistë “skanojnë” shodranët: Vllaznia po shfrytëzohet, Cungu duhet të dorëhiqej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2017 | 16:32

Dy ish-futbollistë “skanojnë” shodranët: Vllaznia po shfrytëzohet, Cungu duhet të dorëhiqej

Ilir Dibrës dhe Alban Volumit nuk u ndahet shpirti nga Vllaznia. Edhe pse prej muajsh jetojnë në Kanada, dy ish-futbollistët kampionë të kuqebluve nuk i kanë humbur kontaktet me ekipin.

ilir-dibraNë një intervistë dhënë për “Shkodra News”, ata i kanë bërë analizën këtij fillimsezoni, duke filluar nga merkatoja dhe për të kaluar te stafi teknik dhe administrimi i Bashkisë Shkodër. Sipas tyre, Armando Cungu duhet të jepte dorëheqjen, ndërsa theksojnë që bashkia po shfrytëzon klubin.

Volumi

Një fitore, një barazim dhe 2 humbje në 4 javë. Si e komentoni nisjen e këtij sezoni nga Vllaznia?

Dibra: Natyrisht që sezoni nuk ka nisur ashtu siç duhej. Po ta shikosh ekipin në emra, mendoj se ishin mundësitë për të marrë më shumë pikë.

Volumi: Kam menduar se Vllaznia do të kishte një start më të mirë, duke e krahasuar me vitet e tjera, pasi edhe shorti ishte në favorizues, pastaj edhe organika është pasuruar me lojtarë me eksperiencë. Zhgënjimi im është i madh, sepse duke parë tani shortin e ndeshjeve që vijnë, nuk jemi të favorizuar. Kjo tregon se diçka nuk shkon brenda grupit, është problemi me grupin e trajnerëve ose problemi i pagave mujore.

Janë afruar disa lojtarë shkodranë të njohur në kampionatin shqiptar, si Hasani, Lika dhe Vucaj, por edhe dy të tjerë si Orelesi dhe Ribaj, pa harruar edhe Atsinën. Si e vlerësoni merkaton e verës?

Dibra: Merkatoja nuk ka qenë e keqe, pasi lojtarët që janë afruar, janë me eksperiencë në kampionatin shqiptar. Por, ata duhet të japin maksimumin për fanellën e Vllaznisë.

Volumi: Për të qenë i sinqertë, kur kam parë afrimin e këtyre lojtarëve, kam menduar se stafi së bashku me strukturat e klubit po lëvizin në drejtimin e duhur në merkato. Afrimi i lojtarëve shkodranë me mjaft eksperiencë, së bashku me dy lojtarë mjaft të mirë si Orelesi dhe Ribaj, më bënë të mendoj që do të rifitonim publikun me lojëra të bukura dhe me rivalitet. Duhet të ishim diku mes 4-5 ekipeve të para. Por, këta lojtarë nuk kanë dhënë atë që pritej në këto javë të para.

Vllaznia festa

Është kjo Vllazni një ekip për mbijetesë?

Dibra: Unë nuk mendoj se ky ekip është për mbijetesë në këtë sezon, por nëse do t’ia vështirësojë gjërat vetes, atëherë mbijetesa do të jetë rruga e vetme.

Volumi: Absolutisht që jo. Ashtu siç e përmenda edhe më lart, të paktën në këto 5 vitet e fundit që e ka administruar bashkia, mund të jetë për nga emrat ekipi më i mirë. Por, ajo që më ka bërë përshtypje dhe kam qenë skeptik ka qenë fakti si arritën t’i bindnin këta lojtarë me peshë të nënshkruajnë kur financat te Klubi Vllaznia janë të bllokuara dhe me borxhe.

Ka shumë ankesa në drejtim të trajnerit Armando Cungu. Si ju duket puna e tij në krye të Vllaznisë?

Dibra: Në fakt nuk jam i informuar se çfarë ankesash janë në drejtim të tij, ngaqë unë ndodhem prej kohësh në Kanada, por si trajner me ekipet e tjera ka pasur rezultate, madje ofertat nuk i kanë munguar.

Volumi: Është më se normale të ketë ankesa në këto kushte. Këtë çdo trajner e di, por tani janë më të hapura për vetë faktin se janë blerjet e këtyre lojtarëve, të cilët e kanë vendosur në këtë sezon në rolin primar. Është ai që ka bërë blerjet, përzgjedhjet dhe ka vendosur objektivat në krahasim me një vit më përpara, kur deklaronte se kaq janë mundësitë.

Duhet të vazhdojë Cungu në krye të Vllaznisë apo skuadra ka nevojë për ndryshim?

Dibra: Për sa i përket a duhet të vazhdojë apo jo, unë do të thosha, duke e njohur Armandon si djalë, si sportist dhe si trajner, pasi kemi ndarë një karrierë të gjatë bashkë, më mirë për të do të ishte që ai të largohej në përfundim të sezonit të kaluar. Ai e pa vetë sesi funksionon Vllaznia e sotme, ku dhe deklaratat e tij kanë lënë të kuptohet se ka pasur ndë- rhyrje nga njerëz të ndryshëm, ku rasti i fundit ishte largimi i trajnerit të portierëve Avenir Dani.

Dibra dhe Volumi

Volumi: Në fund të sezonit të kaluar, Cungu deklaroi se do të rishihte pozicionin e tij. Duke parë rrjedhën e atij sezoni dhe pasur plotësisht dorë të lirë në menaxhim, duhej të jepte dorëheqjen dhe vetëm kështu të gjithë do ta kuptonin dhe vlerësonin. Personalisht mendoj se ndeshja e radhës me Flamurtarin duhet të jetë mundësia e fundit e tij. Për mua është vendimtare dhe do të thosha po aq sa ajo me Tiranën. Na presin pas kësaj ndeshjeje ekipet më të forta dhe më me pretendime, ndaj ana psikologjike mund të na shkatërrojë.

Pyetje që shtrohet shpesh në vitet e fundit. A është Vllaznia më mirë me Bashkinë apo privatin?

Dibra: Unë e kam thënë disa herë, Vllaznia duhet patjetër të ketë një president dhe të jetë larg bashkisë, vetëm kështu do të ndërtohet si duhet dhe do të shkojë aty ku i takon. Në këto vite me bashkinë ka qenë vetëm për mbijetesë, të gjithë e dimë.

Volumi: Nuk ka mbetur specialist, lojtar, zyrtar dhe tifoz pa e konstatuar dhe dhënë përgjigjen. Ndaj prerazi e them: duhet ta marrë privati. Janë rezultatet në këto dy etapa, që i japin të drejtë privatit. Bashkia e ka mbajtur për ta shfrytëzuar Vllazninë si një fabrikë shtetërore. Ka marrë lekë apo vota dhe ka futur njerëz në punë, ndërsa aty “roja” bën ligjin.

Nuk është se ka pasur një projekt ambicioz për ta ngjitur në piedestal klubin. Nuk ka ide, objektiva të qarta, nuk ka marketing, nuk përdoret e drejta televizive. Me pak fjalë, nuk ka menaxhim. Nuk mjafton të thuash “unë kam dhënë djersë për Vllazninë apo unë e dua atë”. Dhe, nga ana tjetër, qëndron aty dhe thua “nuk është e lehtë të privatizohet”, sepse kështu u intereson.

Janë vendosur drejtorë, njerëz që nuk kanë lidhje me futbollin, por vijnë nga politika me rroga joshëse dhe të aftë për të vënë firma për partinë apo grupin afër tyre. Pra, e kanë shkatërruar totalisht dhe ata janë aty. Drejtorët ndërrojnë vetëm fytyrën, por rruga është e njëjtë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"