Dy finalet e 1997 për Flamurtarin, Haxhiaj: Arben Malaj na ktheu në fushë me Tiranën, para Partizanit na dhunuan 3 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Prill 4, 2020 | 0:09


Dy finalet e 1997 për Flamurtarin, Haxhiaj: Arben Malaj na ktheu në fushë me Tiranën, para Partizanit na dhunuan 3 lojtarë

Mjeshtri i Sportit, Romeo Haxhiaj, ka një karrierë të pasur mbi supe, ka luajtur me ekipe cilësore të futbollit shqiptar, si: Apolonia, Partizani, Flamurtari, Vllaznia, Besa dhe Bylis. Një sulmues plot grintë, agresiv, i fuqishëm dhe problematik për mbrojtjen kundërshtare. 54-vjeçari i respekton të gjitha skuadrat që ka përfaqësuar, por veçon Flamurtarin dhe Apoloninë.

Haxhiaj

“Roni” është vlonjat me origjinë, por rritur në Fier, ndaj e kanë pagëzuar sportivisht “sulmuesi fierak Romeo Haxhiaj”. Ka dy episode interesante me dy ekipet e sipërpërmendura për Haxhiajn: dy finale të njëpasnjëshme, në të dyja protagonist. Më 1997 humb penallti për Flamurtarin dhe kupën e fiton Partizani, më 1998 shënon të vetmin gol ndaj Lushnjës dhe kupën e fiton Apolonia.

Për herë të parë Haxhiaj flet enkas për “Panorama Sport”, duke dhënë detaje të reja dhe për ngjarjet e 1997-tës. Ai u bë pjesë e Flamurtarit në kohën kur ish-presidenti Shkëlqim Selami përjashtoi nga ekipi Alban Bushin, i cili hoqi fanellën në shenjë proteste gjatë një zëvendësimi nga trajneri i asokohe, Leonidha Çurri. Mes shumë kandidaturave për sulmin, trajneri Çurri përzgjodhi pa asnjë hezitim Romeo Haxhiajn.

“Luaja me Flamurtarin atë vit, – kujton Haxhiaj. – U bëra pjesë e këtij ekipi me dëshirën e trajnerit Çurri. Ishte  Flamurtari i emrave të njohur në atë kohë, si: Rrapo Taho, Sokol Kushta, Roland Iljadhi, Ervin Fakaj, Viktor Daullja, Johan Driza, Daniel Xhafaj, Dejvi Muka etj. Flamurtari ka qenë një përvojë që ka ndikuar pozitivisht në karrierën time dhe shpreh mirënjohjen dhe respektin për gjithë ata që më përkrahën në atë kohë: Leonidha Çurrin, Petro Rucin, Taqo Bifshën, Koto Zilen dhe të gjithë bashkëlojtarët. Ishte një Flamurtar model, i ndërtuar për të qenë fitues”.

FLAMURTARI

Vlonjatët dështuan atë sezon, edhe pse qenë pretendentët kryesorë për të fituar të dy trofetë. Haxhiaj e nis rrëfimin nga kampionati. “Pas trazirave që ndodhën atë vit, u përcaktua një formulë që të mos digjej kampionati, edhe pse shumë gjëra nuk shkuan siç duhej për mbarëvajtjen reale të garës. Ndeshja me Tiranën ishte një finale e kampionatit. Një barazim dhe ne dilnim kampion, por ishim të etur për fitore, sepse ia dinim forcat vetes. Ishte një moment, kur rezultati ishte 0-0. Unë dribloj kapitenin Alimehmeti dhe një mbrojtës tjetër të Tiranës, asistoj te Perloshi, i cili del tek e tek, por goditet nga Tole në mënyrë të dhunshme me sparkatë. Ishte penallti shumë e pastër për ne, por gjyqtari i ndjerë Luan Zylfo, për të cilin ruaj respekt, nuk e akordoi.

Pas këtij momenti plasi incidenti dhe ndeshja u ndërpre. Trajnerët Latif Gjondeda dhe Edmond Liçaj tërhoqën ekipin, por pastaj ndërhyri ish-deputeti i Vlorës, Arben Malaj, duke na thënë gati me të lutur që të mos e braktisnim ndeshjen, se në të kundërt rrezikonim penalizim nga UEFA. Nuk qe e lehtë për t’u marrë një vendim. Kapiteni Daullja, Fakaj, por edhe të tjerë, kanë këmbëngulur që të mos hynim  në fushë. Por, pas shumë diskutimesh, u rikthyem në lojë dhe ndeshja rrodhi kundër nesh. Ka qenë 1 gol statistike i pamerituar për Tiranën që të dilte kampione dhe po aq i pamerituar për ne ai gol që na mohoi titullin”, tregon ish-sulmuesi i Flamurtarit.

Po cilat qenë arsyet që, sipas vlonjatëve dhe Haxhiajt, cilësohen si padrejtësi, apo, siç pretendojnë ata, një ndeshje që qe paracaktuar për ta fituar domosdoshmërisht Tirana? “Ka qenë një frymë e theksuar anti-Flamurtar asokohe, – vijon Haxhiaj. – Vlora shihej me syrin e shtrembër, e artikuluan si kryeqendër të rebelimit, e cilësonin si një ‘non grata’ dhe gati e aneksuan në çdo aspekt. Po ç’faj pati futbolli ynë? Ne luanim me mish e shpirt në fushë, por nuk u shpëtuam dot as ne paranojave të paragjykimit. Penalizimi me pikë kundër nesh dhe gjithë faktorët e tjerë që na u kundërvunë thuajse haptazi, e bëjnë atë Flamurtar të 1997-tës fituesin moral të kampionatit dhe të kupës”.

R.hAXHIAJ

Kupa dhe përballja e humbur ndaj Partizanit, është një tjetër moment mbresëlënës në memorien e Romeo Haxhiajt. “Finalen e kupës e kemi luajtur më 3 maj 1997, nëse nuk gaboj, – vazhdon referimin e tij për atë vit Haxhiaj. – Para ndeshjes (ne qemë grumbulluar në hotel “Ballkan” në Tiranë, pronësi e një vlonjati), na ndodh një incident i pakëndshëm. Tre futbollistë tanët: Daniel Xhafaj, Shpëtim Ymeraj dhe i riu Arnold Çipi, ndalohen dhe dhunohen nga Forcat Speciale, pa asnjë motiv, teksa ishin duke shëtitur në kodrat e liqenit artificial. Kjo gjë ndodhi para se të luanim finalen me Partizanin dhe e kuptuam qartë mesazhin e presionit ndaj skuadrës sonë.

Dhe pastaj erdhi koha të ballafaqoheshim në fushë. Luajtëm të vetëm kundër të gjithëve, krenaria jonë përballë gjithë faktorëve kundër Flamurtarit. Dhe bëmë maksimumin në Tiranë, ‘dhëmbë për dhëmbë’ me Partizanin, duke e çuar ndeshjen gjer te penalltitë. Eh! Aty unë kam qenë fatkeq dhe e vuaj atë moment, sepse kam humbur penallti në atë finale. Portieri i Partizanit dhe i Kombëtares sonë, Arjan Beqaj, e dinte si i godisja unë penalltitë, pasi kishim luajtur bashkë te Partizani. Madje, komentatori Skifter Këlliçi, që e transmetonte finalen përmes televizionit, para se të gjuaja unë penalltinë, ka thënë pak a shumë kështu: ‘Do të ekzekutojë penalltinë e radhës Haxhiaj, një sulmues teknik dhe me përvojë, por zakonisht futbollistët teknikë dështojnë nga pika e bardhë”. Dhe ashtu ndodhi, u realizua ‘profecia’ e komentatorit S.Këlliçi dhe unë e humba penalltinë”.

FLAMUR

Në epilog të intervistës së tij, ish-futbollisti i mirënjohur Romeo Haxhiaj, jep një opinion vetjak për fatin e mëtejshëm të sezonit sportiv në Shqipëri, duke mos dashur kurrë të besojë në një edicion që mund të dështojë. “Fatkeqësi po të zerohej gjithë sezoni, por, për mua dhe për ne të gjithë, besoj, jeta është mbi gjithçka. Futbolli mbetet në kuadrin e lojës, argëtimit dhe zbavitjes për njerëzit. Nëse flasim për një modul të mundshëm, do të isha për një lloj sistemi me ekipe të ndara sipas renditjes 5 me 5 ose 4 për titull dhe 6 për mbijetesë, që të grumbulloheshin në dy qytete të përzgjedhura, me kontroll dhe asistencë të rreptë mjekësore, me të gjitha asetet dhe logjistikën e duhur për një garë të sigurt dhe eficiente.

Caste-nga-ndeshja-Flamurtari-Tirana

Pse sipas meje nuk mund të luhen ndeshjet sipas kalendarit, në çdo stadium? Sepse në këtë situatë nuk janë mundësitë optimale, të jemi koshientë për këtë. Diku luhet me masa të forta sigurie, diku tjetër ka neglizhencë dhe liberalizëm, që në këtë situatë na dëmton shumë më tepër se rezultati i një ndeshjeje. Do të isha për një futboll pa tifozë, brenda një karantine të caktuar, që do të ishte e keqja më e vogël, nëse nuk ka hapësira më të mira të mundshme”, ka thënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” Mjeshtri i Sportit, Romeo Haxhiaj.

Bujar Rama – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com