Dy eurogola me RNK Split, Cikalleshi çmend kroatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2014 | 9:29

Dy eurogola me RNK Split, Cikalleshi çmend kroatët

CikalleshiDy eurogola, spektakël dhe në fund merr çmimin “njeriu i ndeshjes”. Sokol Cikalleshi ka shkëlqyer dje në sfidën e vlefshme për kampionatin kroat, që skuadra e tij, RNK Split, luajti kundër Lokomotivës në shtëpi. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare i dha një pikë ekipit kroat, teksa në të dyja rastet barazoi rezultatin. Fillimisht në minutën e 36- të, kur miqtë udhëhiqnin me shifrat 0-1, Cikalleshi shënon një gol spektakolar, pas goditjes së dënimit nga rreth 30 metra distancë. Fillimisht topi preku shtyllën pas gjuajtjes së fuqishme me të djathtën dhe më pas pushoi në rrjetë. Golin e dytë kavajasi e realizoi në minutën e 71-të, këtë herë me një lëvizje të bukur në hyrje të zonës. Pas një topi të gjatë, ai fitoi duelin me mbrojtësin dhe kuptoi që portieri kishte dalë disi, duke ia kaluar topin në formë parabole. Ndeshja u mbyll 2-2, ndërsa sulmuesi u vlerësua me notën 7.5. Lojtari kavajas e nisi ndeshjen si titullar, teksa luajti për 90 minuta.
Deklarata – “Më vjen keq që nuk kam arritur t’i jap skuadrës fitoren pas këtyre dy golave. Unë jam i lumtur që arrita të zhbllokohem, por i trishtuar që në fund nuk festuam tri pikët. Gjithsesi, ne do të bëjmë gjithçka për të fituar në takimin e radhës. Personalisht jam ambientuar me skuadrën dhe në përgjithësi me kampionatin kroat. Besoj se do të vazhdoj kështu edhe në takimet e ardhshme. Dua që të shënoj gol në derbin ndaj Hajdkut”, ka thënë dje për mediat kroate sulmuesi shqiptar. Ai kaloi te RNK Split pas një sezoni fantastik te Kukësi në Kategorinë Superiore. Deri më tani ka luajtur për skuadrën kroate 4 ndeshje në kampionat, teksa ka realizuar dy gola. Në dy ndeshjet e fundit ka luajtur si titullar, ndërsa në dy të parat e ka nisur nga stoli. Për trajnerin e RNK Split, Ivan Matiç, sulmuesi shqiptar është konsideruar si blerja më e madhe e verës për ekipin që drejton.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"