Dy ekipe ëndrrash gati për një tjetër luftë për titull, ja si priten të rreshtohen Siti dhe Liverpuli në sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2022 | 14:42

Dy ekipe ëndrrash gati për një tjetër luftë për titull, ja si priten të rreshtohen Siti dhe Liverpuli në sezonin e ri

Siti dhe Liverpuli u konfirmuan skuadrat më të mira të Premier Ligës me diferencë nga rivalet në sezonin e shkuar. Dhe me merkaton që po bëjnë, duket se do të jetë shumë e vështirë edhe këtë vit për të thyer dominimin e skuadrës së Guardiolës dhe Klopit.

guardiola - klop

Me transferimin e Halandit nga kampionët dhe Nunjezit nga “Reds”-at, ekipet që dominojnë Premier Ligën në 4 sezonet e fundit konfirmuan edhe një herë pretendimet e tyre me dy transferime që bashkë me bonuset mund të shkojnë në 100 milionë euro secila. Duket e pabesueshme që dy klubet, të cilat shënuan 193 gola mes tyre sezonin e shkuar, të kishin nevojë për të shtuar forcën e tyre sulmuese. Merkato nuk ka hyrë ende në ditët e saj më të nxehta, por dy gjigantët mund të vazhdojnë të përmirësojnë skuadrat e tyre.

Por si pritet të rreshtohen dy skuadrat më të forta të ishullit kur të nisë sezoni i ri?

PORTIERËT – Dy skuadrat duken të blinduara sa i përket mbrojtësit të fundit, ndërsa dy portierët brazilianë që mbrojnë portën u transferuan në distancë 12 muaj nga njëri-tjetri. Si Alison dhe Ederson, me skuadrat që kanë përpara, pritet të jenë kandidatët më të fortë për të luftuar për “Dorezën e Artë” të 2022-‘23. Por përveç kësaj ata janë dy prej portierëve më të mirë në lojën me këmbë, veçanërisht Ederson, i cili është perfekt për stilin e Guardiolës. Siti firmosi edhe me portierin gjerman, Stefan Ortega, duke qenë se amerikani Zak Stefen pritet të largohet.

MBROJTËSIT – Liverpuli ka transferuar talentin 18-vjeçar Kalvin Ramsej nga Aberdini, edhe pse skocezi është më shumë një blerje për të ardhmen, pasi Arnoldi është i padiskutueshëm në korsinë e djathtë. Dhe duket se kështu ka për të qenë edhe për shumë vite, ashtu si Robertson në korsinë tjetër. Van Dajk është rikthyer në formën më të mirë, ndërsa Konate vazhdon të rritet dhe është favorit për të qenë titullar përpara Matipit dhe Gomezit.

Siti është në një situatë të ngjashme, edhe pse një mbrojtës i ri i majtë është në radarin e Pepit. Kanselo dhe Zinçenko kanë luajtur të dy atje, por asnjëri nuk është në rolin e tij natyral dhe ata preferojnë role të tjera. Kampionët po luftojnë për të transferuar Mark Kukurejën e Brajtonit. Laport-Diaz duken të palëvizshëm në qendër, pavarësisht se Guardiola beson edhe te Xhon Stons. Uokeri ka ende për të dhënë në korsinë e djathtë.

MESFUSHORËT – Liverpuli transferoi Fabio Karvajon nga Fulhami, i cili luan në fakt më i avancuar dhe shton alternativat për Klopin kur duhet të bëjë rrotacion. Fabinjo është titullar i padiskutueshëm, ndërsa Tiago u përmirësua sezonin e fundit. Kapiteni Henderson ka pasur probleme me dëmtimet, por alternativa janë edhe Keita, Eliot, Xhons dhe Milner.

Guardiola ka marrë Filipsin nga Lidsi për të mbuluar largimin e kapitenit Fernandinjo. Anglezi pritet të jetë violina e dytë pas Rodrit. De Bryjne, Silva dhe Gyndoan janë të pagabueshëm përpara. Mbetet për t’u parë roli i Filips, nëse do të vendoset përpara mbrojtjes apo 25-vjeçari do të ketë një rol më të avancuar.

SULMUESIT – Salah-Mane-Firmino dukeshin se do të zgjasnin përgjithnjë në treshen e sulmit të Klopit. Por senegalezi u largua, ndërsa braziliani ka kohë që nuk është më një titullar. Me egjiptianin që sapo rinovoi Nunjez pritet të udhëheqë linjën e parë të sulmit, ndërsa Diaz duket favorit ndaj Zhotës.

Guardiola ka shitur Zhezusin tek Arsenali dhe pritet të njëjtën fat të ketë edhe Sterling pas transferimit të Halandit. Norvegjezi do të jetë numri 9 aq shumë i kërkuar, ndërsa nga krahët pritet të mbështetet nga Foden dhe Mahrez. Por nuk duhet harruar as blerja e re, argjentinasi Alvarez.

siti

liverpul

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"