Dy ditë për të mbërritur në Qipro, Laçi udhëtim ekonomik me autobusë e traget

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 10:25

Dy ditë për të mbërritur në Qipro, Laçi udhëtim ekonomik me autobusë e traget

Laçi i ka mbyllur përgatitjet në vend për ndeshjen e parë të Ligës së Europës me Anorthosis Famagusta, takim i cili do të luhet në Qipro më 12 korrik. Por të besuarit e trajnerit Besnik Prenga i pret një rrugë e gjatë për të mbërritur deri në destinacion. Klubi ka zgjedhur një udhëtim ekonomik, por maratonë për ekipin, ku do t’u duhen rreth dy ditë për të mbërritur deri në Qipro.

Laci2

Fillimisht, delegacioni i skuadrës së Laçit do të niset sot me autobusin e klubit nga Laçi në drejtim të Korçës. Me të mbërritur në qytetin juglindor, kurbinasit do të ndërrojnë autobus, pasi me një mjet të një agjencie udhëtimi greke do të nisen drejt portit të Selanikut. Pasi të mbërrijë aty, ata do të nisin procedurat e udhëtimit me traget nga Selanik në drejtim të portit të Larnakës në Qipro. Me traget u duhet që të përshkojnë një distancë 700 milje detare për të mbërritur në destinacion.

Laci

Laçi pritet që të mbërrijë të martën në Larnaka dhe më pas, me autobus, do të shkojnë në hotelin ku do të akomodohen. Pas udhëtimit maratonë dyditor, pritet që Laçi të stërvitet vetëm një ditë para ndeshjes me Anorthosis. Shpresohet që ky udhëtim sfilitës të mos ndikojë tek ekipi në ditën e ndeshjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"