Dy brazilianë për Besëlidhjen, Noka: Bëjmë surprizën, jemi “magnet” për të vetofruarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 23:10

Dy brazilianë për Besëlidhjen, Noka: Bëjmë surprizën, jemi “magnet” për të vetofruarit

Java ka nisur me “vrull” te Besëlidhja. Merkato ja ka qenë shumë e pasur, ndërsa organikës i janë shtuar 4 lojtarë të rinj. Pas rikthimit të mbrojtësit Kledi Dibra dhe mesfushorit Samet Hebaj, në stërvitje dolën edhe dy brazilianë. Bëhet fjalë për sulmuesin Freiere Nunes Icaro dhe mbrojtësin Artur da Silva.

Noka

Nuk janë krejt të panjohur në Shqipëri, pasi një periudhë kanë luajtur me Shkumbinin. E njohin fare mirë ambientin, ndaj përshtatja nuk do të jetë e vështirë. Ata pritet që të vëzhgohen për pak kohë nga stafi teknik. Nëse bindin Alban Brukën, atëherë mund të kalohet te kontrata.

PRESIDENTI

Është vetë presidenti Gjok Noka që e konfirmon këtë gjë për “Panorama Sport”, teksa rrëfen edhe planet e merkatos. Numri një i klubit mendon se skuadra e tij është “magnet” për të vetofruarit. “Besëlidhja ka një muaj që stërvitet dhe deri tani gjërat po ecin siç i kishim parashikuar. Jam mjaft i kënaqur me të gjithë, që nga stafi e deri te futbollistët. Sa i përket merkatos po bashkëpunojmë dhe me trajnerët për të ndërtuar një grup konkurrent. Kemi punuar me laps në dorë e mend në kokë për të rifreskuar ekipin pikërisht aty ku janë evidentuar mangësi gjatë sezonit të kaluar dhe në ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar gjatë kësaj periudhe të fazës përgatitore.

Ekipi mund të thuhet se ka nisur të marrë formë me afrimin e dy ishkapitenëve, mbrojtësit Kledi Dibra dhe mesfushorit Samet Hepaj, të cilët kanë qenë dhe mbeten lider të Besëlidhjes dhe Kategorisë Parë. Ne kishim në plan të afronim të paktën gjashtë futbollistë cilësorë dhe besoj se thuajse e kemi realizuar.

Në ekip janë afruar edhe mbrojtësi Florian Trokthi dhe dy brazilianë, një mbrojtës dhe një sulmues. Artur da Silva mbrojtës i majtë, sulmuesi Freiere Nunes Icaro dhe Gjuzi mesfushor qendre. Siç dihet, Besëlidhja është magnet edhe për të vetofruarit, ndaj po i studiojmë me vëmendje edhe ata. Merkatoja do të mbetet e hapur deri në minutat e fundit, pasi pjesë e jona do të mbeten vetëm ata futbollistë që me të vërtetë bindin.

Sido që të vijnë punët, Besëlidhja do të jetë surpriza e Kategorisë së Parë këtë sezon. Sa i përket stërvitjes, deri tani jam i kënaqur. Ekipi nga dita në ditë po merr formë. Ndërkohë, të mërkurën kemi planifikuar një miqësore që do ta zhvillojmë në stadiumin tonë, që do të na shërbejë të testojmë të gjithë të ofruarit”, përfundoi presidenti.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"