Dy afrime nga Kategoria Superiore, Tomori projekton 4 goditje të mëdha në merkaton e janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 13:30

Dy afrime nga Kategoria Superiore, Tomori projekton 4 goditje të mëdha në merkaton e janarit

Kjo javë ka nisur me të njëjtin intensitet dhe ngarkesë stërvitjeje për beratasit, siç po ndodh zakonisht këtë periudhë, që kur në krye të skuadrës ka ardhur trajneri Kristaq Mile. Gjithçka po shkon sipas parashikimeve të stafit drejtues dhe gradualisht Tomori po përpiqet të marrë kryesimin e Grupit të Jugut, që mbahet nga Albpetroli. Janë bërë 5 fitore radhazi dhe me këtë ritëm objektivi është krejtësisht i arritshëm. 

Tomori gol

4 GODITJE – Duhet thënë se në Berat kanë nisur që tani të bëhen llogaritë për përforcimet e merkatos së dimrit. Drejtuesit aktualë të Tomorit duket se e kanë rritur “piacën” për sa u përket preferencave të tyre, duke synuar lojtarë edhe nga ekipe të Superiores, edhe pse për momentin askush nuk dëshiron të përmendë emra konkretë.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se trajneri Kristaq Mile ka vendosur mbi tavolinën e drejtuesve të klubit një listë me emrat e lojtarëve që dëshiron të ketë në skuadër për gjysmën e dytë të sezonit.

Mile-ne-Erseke

Bëhet fjalë për emra të njohur të futbollit beratas këto vitet e fundit. Konkretisht, beratasit kërkojnë që në merkaton e dimrit të rikthejnë Emiljano Veliajn, i cili aktivizohet me Luzin 2008 në Kategorinë e Dytë, në Grupin e Veriut. Një tjetër lojtar i kërkuar është Genaldo Sharavolli, aktualisht tek Apolonia, ku për arsye dëmtimi ka një periudhë të gjatë që nuk luan. Për të vijuar me “qershinë mbi tortë”, që do të ishte dyshja beratase e Luftëtarit, Hyseni-Oshafi.

Tomori

Për momentin këto janë dëshirat e stafit teknik të Tomorit dhe për t’i realizuar duhet shumë punë dhe sforco financiare, plus dëshira e futbollistëve të përmendur më sipër dhe mirëkuptimi i klubeve ku ata bëjnë pjesë aktualisht. Janë të gjithë lojtarë me përvojë dhe nuk është e lehtë të luajnë në Kategorinë e Dytë.

PLANI B – Por te Tomori kanë edhe planin B, që lidhet me futbollistë të Naftëtarit dhe Skraparit, të cilët nuk përmenden me emër. Këta lojtarë do të merren në konsideratë vetëm nëse nuk arrihet marrëveshja për 4 lojtarët e përmendur më lart.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"